Shqipëria

“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, Fredi Beleri do dalë para GJKKO-së të hënën


Kandidati fitues nga koalicioni Bashkë Fitojmë për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri do të dalë para Gjykatë së Posaçme (GJKKO) të hënën e 22 majit në orën 13:00.

Gjyqtare e çështjes është caktuar Atalanta Zeqiri, sipas njoftimit zyrtar për shtyp nga institucioni i drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) regjistroi më herët procedimin penal për Fredi Belerin, i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Kalimin e dosjes së Belerit në SPAK e konfirmoi avokati i tij mbrojtës, Romario Meminaj.

Gjykata e Vlorës shpalli më herët moskompetencën dhe çështja kaloi në Strukturën e Posaçme.

Prokurori i Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë, Auel Zarka, të premten e 12 majit, doli në një deklaratë për shtyp sa i takon arrestimit të kandidatit fitues për bashkinë e Himarës.

Zarka njoftoi se me datë 8 maj është regjistruar procedimin për veprën “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara deri më tani kishte informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë.

Këta persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, bazuar në faktet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, u bë arrestimi në flagrancë i Belerit dhe një shtetasi tjetër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë monetare prej 40 mijë lekësh të rinj.

Si u bë arrestimi i tij?

Në bazë të insajteve policore, ka qenë pikërisht një i infiltruar i forcave të rendit, ai i cili ka zbuluar gjithë skemën e Belerit dhe e ka çuar më pas në pranga.

Ai mësohet se i ka dorëzuar kandidatit një listë me 15 votues, të cilët më pas Beleri i ka kontaktuar personalisht në telefon.

Të infiltruarit, i ishin ofruar 40 mijë lekë, në këmbim të tetë votave për kandidatin e koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, i cili vjen nga radhët e PBDNJ-së së Vangjel Dules.

Truproja e Fredi Belerit, Pano Kokoveshi, po ashtu është i përfshirë në çështje, ku i infiltruari duhet ta takonte këtë të fundit, që ai më pas t’i jepte një shumë prej 300 eurosh.

Vetë kandidati i djathtë i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar ndër të tjera një masë të butë gjatë gjykimit, duke deklaruar se ka probleme shëndetësore dhe vuan nga diabeti.

Si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Për këtë, Partia Socialiste zotëron 33 mandate në Këshillin Bashkiak të Himarës duke iu referuar gjysmës së kutive të numëruara deri më tani.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Si u prit nga diplomacitë?

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Theoharis Lalakos vizitoi të enjten Shqipërinë për t’u takuar me Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin.

Këta të fundit, ndodhen në paraburgim, pasi u arrestuan për blerje votash, 48 orë para zgjedhjeve vendore.

Mediat greke shkruajnë se vizita e Theoharis Lalakos, vjen në kuadër të udhëzimeve nga Minisitri i Punëve të Jashtme në Greqi Nikos Dendias.

Sekretari i Përgjithshëm u informua për gjendjen e tyre shëndetësore dhe kushtet e ndalimit të tyre, ndërsa në konsultim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri do të shqyrtohen veprimet e radhës për trajtimin e çështjes.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka i bëri thirrje më herët homologëve të diplomacisë greke që të respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë.

Lajmi u bë i ditur nga kryediplomatja shqiptare, duke cituar statusin e saj në median sociale “Twitter”.

“Është pothuajse e pamundur të kuptohet se si miqtë tanë të Greqisë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin nuk mund të ishin më të vështira – Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në veprimtari kriminale kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shkruan fillimisht ajo.

Sipas saj, nuk është i kuptueshëm se si fakti që është shtetasi grek e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë.

“Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë”, u angazhua në reagimin e saj ministrja shqitpare për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nga ana tjetër, opozita dhe vetë kreu i Partisë që Beleri përfaqëson, Vangjel Dule, ka bërë me dije se kjo është “një hakmarrje politike”.

E, për këtë ata kanë përdorur si arsye retorikën e kryeministrit të vendit, Edi Rama ndaj kandidatit opozitar.

Por retorika e Ramës erdhi pas deklaratave të Belerit për “henelizimin” e Himarës.

Ai e cilësoi si një “klloun që me mbështetjen e ‘Salike Floririt’ kërkon të marrë zvarrë mbrapa Himarën, shëmbëlltyra më kuptimplotë e shportës opozitare që ka mbledhur bashkë karavidhet më të shëmtuara të historisë politike të Shqipërisë”.

Vetë kryeministri sot ka theksuar se ndalimi i tij nuk ka të bëjë me “betejën” ndaj kandidatit, por se Prokuroria e ka provuar krimin e kryer.

Ndërkaq emri i Belerit nuk është i padëgjuar për drejtësinë shqiptare.

Në procesverbal vihen re edhe dënimet e tij të mëparshme, ku konkretisht është dënuar me tre vite heqje lirie për nxitje të “urrejtjes”.

Jo vetëm kaq emri i tij ka qenë i lidhur edhe me masakrën e Peshkëpisë.

Për këtë çështje ai është arrestuar, hetuar dhe liruar.

Por drejtësia shqiptare ndërkohë me sa duket ka siguruar prova që e lidhin Belerin me masakrën, duke e marrë në pyetje për të paktën tre herë në një hark të shkurtër kohor.

Nuk është hera e parë që ai kandidonte për bashkinë e Himarës. Këtë e ka bërë në vitin 2015, si kryetar i OMONIA-s, kur humbi.

Tentoi sërish si kandidat i pavarur në 2019, por KQZ se miratoi emrin e tij, pasi gjeti shkelje në formularin e dekriminalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore