Përballje

Në 2021, basketbolli ishte “Yll” në Kosovë


Kolazh me fotografi nga ndeshjet e vitit të kaluar

Edhe pse kombëtarja kosovare zhgënjeu në arenën ndërkombëtare, basketbolli vendor dhuroi spektakël në vitin 2021.

Në Superligën e Kosovës ndodhën befasi të shumta dhe titulli u fitua nga një skuadër që nuk e kishte fituar më parë.

Superliga e Kosovës

Sezoni 2020/2021

Sezoni 2020/2021, ishte një nga edicionet më interesante të Superligës së Kosovës në basketboll, ku ndeshjet ishin shumë të tensionuara dhe dramatike.

Trofeun e këtij edicioni të Superligës së Kosovë e fitoi skuadra nga Theranda, Golden Eagle Ylli, të cilët patën një rrugëtim mjaft të vështirë drejt titullit të tyre të parë në histori.

Momenti kur Golden Eagle Ylli fituan titullin e parë të Superligës së Kosovës

Përveç playoff-it, befasi e ndeshje të “zjarrta” kishte edhe në sezon të rregullt, pasi Prishtina pritej të binte në barazh, por kryeqytetasit arritën pozitën e pestë, pas dy fitoreve në fund të sezonit.

Në anën tjetër, në barazh ishte Trepça, të cilët po kalonin një sezon mjaft të suksesshëm deri në momentet e fundit.

Megjithatë, Trepça mposhti ekipin e Istogut, për të mbetur në Superligën e Kosovës, ndërsa Vëllaznimi ra nga kategoria, dhe vendin e tyre e morën KB Drita, që ishte fituese e Ligës së Parë.

Në pozitën e parë të sezonit 2020/2021 në Superligën e Kosovës, u radhit Ponte Prizreni, ndërsa në vendin e dytë ishte Rahoveci.

Këto dy skuadra që ishin radhitur në dy pozitat e para, u kualifikuan direkt për në gjysmëfinale, ku pritën fituesit e ndeshjeve Ylli – Bashkimi dhe Peja – Prishtina.

Peja – Prishtina

Ndeshjet mes Pejës dhe Prishtinës ishin të “zjarrta”, pasi këto dy skuadra kanë qenë rivale historikisht.

Dueli i parë, e cila u luajt në Karagaç ishte i dominuar nga pejanët, pasi fituan me rezultat të thellë 106:77.

Dardan Berisha duke gjuajtur për tre pikë në duelin përballë Prishtinës

Ndeshja e dytë, e cila u luajt në kryeqytet, u përmbyll me fitoren e Prishtinës pas një përfundimi dramatik.

Prishtina fitoi me rezultat 93:92, pas një gjuajte në posedimin e fundit të Nigel Johnson, i cili e barazoi serinë në 1:1.

Për të përmbyllur serinë, Peja fituan bindshëm, me rezultat 100:83, të cilët u kualifikuan në gjysmëfinale për tu përballur me Ponte Prizrenin.

Ylli – Bashkimi

Ndeshja e parë që u luajt në Therandë mes Yllit dhe Bashkimit u përmbyll me befasi, pasi fituan prizrenasit me rezultat 79-94.

Në ndeshjen e dytë në Prizren, Ylli dominuan Bashkimin, ku fituan me rezultat 76:89.

Për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, Ylli nuk rrezikuan, duke fituar edhe këtë ndeshje bindshëm me rezultat 97:79.

Në gjysmëfinale, Ylli do të përballej me Rahovecin, të cilët ishin kualifikuar direkt.

Ponte Prizreni – Peja

Dueli i parë që u luajt në Prizren, përfundoi me fitoren e Pejës 92:100.

Në ndeshjen e dytë, Prizreni barazoi rezultatin e serisë, duke mposhtur Pejën me epërsi minimale 112:111.

Në ndeshjen e tretë, Peja dominuan, duke mposhtur Prizrenin me rezultat 108:85.

Dardan Berisha në përballje kundër lojtarëve të Ponte Prizrenit

Dueli i katërt përfundoi me dominimin e prizrenasve, të cilët fituan me epërsi të thellë 62:88.

Ndeshja e pestë mes Prizrenit dhe Pejës u suspendua, dhe fitorja iu dha Pejës, që e dërgoi në finale.

Gjatë duelit të fundit të serisë, Dardan Berisha provokonte prizrenasit, e cila rezultoi me revoltimin e tifozëve.

Pas përfundimit të pjesës së parë, lojtarët e Pejës ishin duke shkuar në dhomat e zhveshjes, ku një tifozë provoi të godiste një nga lojtarët e Pejës.

Momenti i përleshjes mes tifozëve prizrenas dhe lojtarëve të Pejës

Më pas, dy lojtarë të Pejsë, Brandon Walters dhe A.J Walton rrahën një nga tifozët, që rezultoi me pezullimin e tyre në finale.

Rahoveci – Ylli

Të gjitha ndeshjet mes dy skuadrave ishin me rezultate shumë të ngushta, ku fituesit nuk diheshin deri në momentet e fundit.

Golden Eagle Ylli kundër Rahovecit në gjysmëfinalen e Superligës së Kosovës

Ndeshjen e parë mes Rahovecit dhe Yllit, e fituan vreshtarët me rezultat 69:66.

Ylli nuk lejuan Rahovecin të fitoi dy ndeshje radhazi, kështu që therandasit triumfuan me rezultat 62:70 në duelin e dytë të serisë.

Ndeshja e dytë u fitua përsëri nga Ylli, të cilët mposhtën vreshtarët me rezultat 77:68.

Rahoveci nuk ishin të gatshëm të dorëzoheshin, fituan ndeshjen e katërt me rezultat 65:68, dhe barazuan epërsinë në 2:2.

Dueli përfundimtar i gjysmëfinales, që përcaktonte finalistin e dytë, përfundoi me fitoren dominuese të Yllit 72:85.

Finalja Ylli – Peja

Seria mes therandasve dhe pejanëve nuk përfundoi ashtu siç ishte pritur, pasi Ylli dominoi serinë me rezultat 3:0.

Skuadra e Golden Eagle Yllit pas fitores së Superligës së Kosovës

Pejës i mungonin dy lojtarë shumë të rëndësishëm, dhe Ylli e shfrytëzoi këtë duke dominuar plotësisht pejanët.

Ndeshja e parë përfundoi me fitoren e Yllit me rezultat 75:83.

Dueli i dytë ishte dramatik dhe përfundoi me rezultat shumë të ngushtë 75:73.

Ylli u shpallën kampion në Karagaç, ku mposhtën Pejën me rezultat 67:70.

Lojtari më i mirë i serisë së finaleve u zgjodh Erjon Kastrati, i cili kishte performanca shumë të mira, që i siguruan Yllit, titullin e parë në histori të klubit.

Erjon Kastrati me trofeun e Superligës së Kosovës dhe trofeun MVP

Sezoni 2021/2022

Sezoni i ri i Superligës së Kosovës është krejtësisht ndryshe prej atij që ka përfunduar me fitoren e Yllit.

Në sezonin e kaluar, Trepça ishin në barazh, ndërsa këtë edicion, mitrovicasit u zgjodhën kampion vjeshtorë të Superligës së Kosovës.

Drilon Hajrizi duke dribluar në ndeshjen përballë Bashkimit

Në anën tjetër, Rahoveci, të cilët ishin në pozitën e dytë sezonin e kaluar, tani janë në pozitën e shtatë që i dërgon në barazh.

Në vendin e dytë radhiten kampionët aktual, Golden Eagle Ylli, ndërsa në pozitën e tretë janë Bashkimi.

Sigal Prishtina radhiten në pozitën e katërt, të cilët kanë pasur prurje të reja si Lejson Zeqiri, i cili pati impakt të madh te kryeqytetasit.

Lejson Zeqiri duke gjuajtur për tre pikë në ndeshjen mes Prishtinës dhe Trepçës

Finalistët e sezonit të kaluar, Peja, janë në vendin e pestë, me vetëm dy pikë më pak se Prishtina.

Prizreni 16, ndryshe njohur si Ponte Prizreni, sezonin e kaluar ishin në pozitën e parë në sezonin e rregullt, ndërsa tani radhiten në vendin e gjashtë.

Në pozitën e fundit ndodhen Drita, të cilët hynë në ligë këtë vit, por nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshje deri më tani.

Kombëtarja e Kosovës

Viti 2021 ishte i suksesshëm për Kombëtaren e Kosovës së meshkujve në basketboll.

Ndërsa në anën tjetër, Kombëtarja e Kosovës së femrave në basketboll kishte sukses të madh në debutimin e tyre.

Kombëtarja e Kosovës për meshkuj luajti katër ndeshje gjatë vitit 2021, dy në Parakualifikimet e Botërorit dhe dy të tjera në Parakualifikime të Eurobasket-it.

Kosova kundër Danimarkës në Parakualifikimet e Eurobasket-it

Dy ndeshjet e Parakualifikimeve të Botërorit i humbën, njërën kundër Luksemburgut, dhe tjetra përballë Sllovakisë.

Dy ndeshjet e tjera të Parakualifikimeve të Eurobasketit përfunduan me një humbje dhe një fitore.

Kosova mposhti Danimarkën, ndërsa humbi përballë Norvegjisë.

Në anën tjetër, Kombëtarja e Kosovës për femra ka pasur sukses të madh në garat ndërkombëtare.

Kombëtarja e Kosovës së femrave në basketboll, pasi fituan medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla

Kombëtarja e Kosovës për femra në basketboll kishte mposhtur Maltën me rezultat 70:60 për të fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Ky ishte debutimi i kombëtares Kosovare për femra në garat ndërkombëtare, dhe ato e përfunduan debutimin e tyre me medalje të bronztë.

Liga Unike

Liga Unike është një turne ku marrin pjesë disa nga ekipet më të mira të basketbollit në Kosovë dhe Shqipëri.

Ky ishte edicioni i parë i Ligës Unike, dhe fitues të turneut ishin Golden Eagle Ylli.

Lojtarët e Golden Eagle Yllit, pasi kanë fituar Ligën Unike

Ekipet kosovare dominuan edicionin e parë të këtij turneu, duke eliminuar Gogo Basket në gjysmëfinale, për të pasur një finale kosovare.

Ky ishte trofeu i parë në histori për klubin nga Theranda, ku në finale mposhtën Pejën në Durrës.

Ashtu si në finale të Superligës së Kosovës, lojtari më i mirë i turneut u zgjodh ylli i therandasve, Erjon Kastrati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore