Shqipëria

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore


Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë me dije se e çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike.

“Ne mirëpresim përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete, dhe shpresojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në rajon e më gjerë në lidhje me përfaqësimin gjinor në parlament”, thuhet në një reagim nga zyra e OSBE.

Reagimi vjen teksa në Kuvend po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa në një amendament të propozuar nga deputete nga PD dhe PS, përcaktohet edhe formula se si do të bëhet renditja e kandidatëve në listat për deputetë, duke respektuar kuotat gjinore.

Pakti PS-PD për reformën zgjedhore kalon sot në filtrin e Kuvendit

Një tjetër amendament është dorëzuar në Kuvend mbi projketligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Deputetet e Komisionit të Ligjeve kanë kërkuar që në shpërndarjen e mandateve të listës së hapur (2/3), në rirenditjen sipas rezultatit të votës preferenciale, një në tre emra t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar.

Amendamenti është firmosur nga 26 deputete të kuvendit të Shqipërisë duke marrë dakordësinë edhe të dy kryetarëve të grupeve, Bledi Çuçit të PS-së dhe Gazment Bardhit të PD-së.

“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listët një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë”.

“Mbi bazën e këtij kriteri hartohet lista përfundimtare që i nënshtrohet votimit parapëlqyes e rirenditur, e cila do të përdoret për zbatimin e nenit 164 të këtij kodi”, vijon pika që kërkojnë të shtohet në nenin 163 “Për shpërndarjen e mandateve”.

Ky amendatment pritet të nxisë garë mes kandidatëve gra, pasi më e votuarat mes tyre do të kenë mundësinë të marrin një ulëse në parlament sipas parimit “një në tre emra i përket gjinisë më pak të përfaqësuar”

Sipas draftit të dakordësuar mes palëve, një formulë e tillë ndiqet edhe për listën e fiksuar, të cilët kanë të sigurt mandatin sipas listës së hartuar nga kryetari I partisë, duke respektuar kuotën gjinore.

Nisma e deputeteve Etilda Gjonaj dhe Dhurata Çupi synon ruajtjen e kuotave gjinore.

Kërkesa e tyre është si vijon:

Në mbështetje të nenit 75, pikave 3 dhe 4, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, propozojmë që në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10019 date 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 8 pika 2 shtohet paragrafi:

*Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë. Mbi bazën e këtij kriteri hartohet lista përfundimtare që i nënshtrohet votimit parapëlqyes e rirenditur, e cila përdoret për zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore