Shqipëria

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Bardhi: Zbatim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga grupi i punës në Komisonin e Ligjeve, është adresimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, kush thotë ndryshe, tregon se nuk njeh ligjin.

Në Kuvend, gjatë diskutimeve për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, që i hapin rrugë votës së emigrantëve dhe riformulojnë mënyrën e shpërndarjes së mandateve sipas votës preferenciale dhe listave të sigurta, Bardhi tha ata se ata që nuk votojnë këto ndryshime të Kodit Zgjedhor, refuzojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Cilido dashnor i votës ka mundësi të kandidojë si kandidat i pavarur, të marrë vota dhe të vijë në këtë sallë. Ne po nxitemi të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Drafti i paraqitur nga kolegët parashikon ekzaktësisht vetëm këtë”, tha Bardhi.

“Nëse ishit dashnorë të listave të hapura hiqni dorë nga mandati dhe lini vendin atyre që morën më shumë vota. Secili prej nesh ka patur deputetë poshtë listave e që kanë marrë më shumë vota. Meqë qenkeni parimorë dhe dëshironi që të vijnë në Kuvend, jepni dorëheqjen. Kush thotë se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar të jenë listat 100% të hapura ose gënjen, ose është injorant. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar numerikisht herësin e 2020 duke e konsideruar si numër votash jo proporcional”, u shpreh Bardhi.

Bardhi tha se në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese “ka quajtur si kushtetuese të drejtën e ligjvënësit që të përcaktojë modelin më të mirë. Jo më pak se 1/3 e listës së kandidatëve të partive të jenë të hapura. A është propozimi më i mirë? Ndoshta po, ndoshta jo. Ne sot diskutojmë që ajo formulë nuk ishte më e mira. Ku ka sistem më të pastër se mazhoritari? Po kush i cakton kandidatët në sistemin mazhoritar? Prapë kryetari. A mund të jetë ai sistemi më i mirë? Mund të jetë. Jepni ide, jepni propozime. Ndryshe nga ç’thuhet, pazar, pazar. Duhet të bëjmë krahasimin me sistemin që kemi sot. Tre kolegë kanë ardhur ndryshe, si pasojë e thyerjes së herësit. 137 të tjerët janë produkt i listave të mbyllura. Ne shkojmë drejt një formule, ku 100 deputetë renditen nga partia politike, dhe 40 të tjerë që i cakton po partia politike do kenë mundësi të jenë përfaqësues i qytetarëve në Kuvend. 40 deputetë të ndarë në parti është numër i domosdoshëm për të përcaktuar qeverisjen në vend”.

“Nuk mund të ketë zgjidhje pa u testuar. Propozimi sot, që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që ndodhet jashtë do të votojë atje ku ndodhet, është një arritje. Gjysma e shqiptarëve, ata që mbajnë prindërit këtu do të kenë mundësi të diktojnë qeverisjen e vendit. Dëgjova ‘pazar’. I kishim koalicionet në 2019. Ta kesh të drejtën për të bërë koalicion dhe të heqësh dorë me marrëveshje me kundërshtarin politik, ky është pazar. Janë mësuar ta bëjnë politikën si pazar. Këta kishin mundësi dy vjet ta impononin Edi Ramën dhe nuk bënë asgjë”, tha Bardhi.

Ai tha se Reforma Zgjedhore duhet të vazhdojë për adresimin e kërkesave të OSBE/ODIHR.

“E përshëndes deklaratën e OSBE për kuotën gjinore. Nëse ne nuk pyesim për punën e vëzhguesve të huaj, mos harxhoni lekët për të sjellë vëzhgues. Puna për Reformën Zgjedhore do duhet të vijojë. Dy apo tre muajt në vijim duhet të gjithë bashkë të bëjmë të mundur reformën e duhur zgjedhore që na kërkohet në çdo raport vëzhgimi të Shqipërisë për anëtarësim në BE”, theksoi Bardhi.

Reforma Zgjedhore, Basha: Berisha ia shiti zgjedhjet Ramës, në Kuvend do fusin kamikazët e tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore