Lajme

Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Kush garanton se është kërkesa e fundit e Bullgarisë?


Hristjan Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, duke folur për ndryshimet kushtetuese – kusht i domosdoshëm për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian – ka thënë se nuk ka garanci se nëse miratohen do të jenë kërkesa përfundimtare nga ana e Bullgarisë.

Këto komente, Mickoski i ka bërë gjatë një ligjërate që ka mbajtur Universitetin amerikan “John Hopkins”, të martën.

Ndryshimet kushtetuese – ndër të tjera – nënkuptojnë futjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës – kërkesë eksplicite e Sofjes zyrtare.

“Ne nuk do të jemi të gatshëm të fillojmë negociatat nëse nuk përfshijmë në Kushtetutë disa qindra qytetarë tanë, që do të thotë se ata janë pjesë e pakicës bullgare në Maqedoni. Kush mund të na garantojë se kjo është kërkesa e fundit?”, tha Mickoski.

“Në gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg kemi 14 aktgjykime që thonë se janë shkelur të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari. Dhe këtu shtrohet një pyetje logjike se kujt i shkelen të drejtat”, shtoi ai, transmeton “KlanMacedonia”.

Sa i përket vetos bullgare, kreu i ekzekutivit maqedonas potencoi se duhet të diskutohet për marrëdhënie reale të mira fqinjësore, “por ato duhet të jenë të dyanshme”.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sipas Mickoski-t, “sakrifikuan shumë për perspektivën evropiane dhe mjaft me poshtërim”.

“Ne nuk jemi politikanë të mbushur me akuza për krim dhe korrupsion siç ka në rajon. Ne do të mbrojmë interesat tona, jemi të gatshëm të diskutojmë argumentet, t’i paraqesim ato, të shohim se argumentet e kujt do të mbizotërojnë. Qytetarët e Maqedonisë kanë kontribuar në perspektivën evropiane si askush më parë”, theksoi kryeministri Mickoski.

Ndryshe, Mickoski para se të bëhej kryeministër, por edhe pasi që u bë, është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese, apo siç preferon ta quajë ai “kundër çdo diktati bullgar”.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore kanë kërkuar që të miratohen këto ndryshime, si rruga e vetme drejt Unionit evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore