Lajme

Ndryshimet klimatike po, por edhe zjarrvënia e qëllimshme


Teksa valët e të nxehtit dhe thatësirat sa vijnë e përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, ato shihen edhe si faktori përcaktuar i zjarreve që kanë shpërthyer në Evropë.

Por nuk duhet anashkaluar as fakti se ka edhe faktorë të tjerë që i shkaktojnë zjarret e rrezikshëm, paçka se nuk përmenden shpesh.

Një prej tyre, zjarrvënia e qëllimshme. Ndaj lind nevoja për menaxhim të rreptë në këto kohë të sipërfaqeve pyjore.

Madje Ervin Karamuço, ekspert i kriminologjisë, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ekzistojnë dy raporte sekrete të organeve shqiptare ligjzbatuese dhe inteligjente, të cilat “adresojnë dyshime të forta për plane të mirëorganizuara nga shërbime të huaja jo mike”.

Raporte këto, të cilat lidhen me ngjarjet e dy viteve të kaluara të zjarreve masive, ndotjes së bregdetit dhe anti-reklamave ndaj turizmit shqiptar.

Ndërkohë në vend, si rezultat i punës së forcave të emergjencave civile, është arritur të përmirësohet situata në disa vatra zjarri.

Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë.

Kurse në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj, puna e forcave të emergjencave është vështirësuar për shkak të terrenit, por përhapja e zjarrit është e dobët.

Aktualisht, zjarret po digjen në të paktën nëntë vende në të gjithë Mesdheun.

Zjarret janë përhapur në Kroaci, Itali dhe Portugali dhe mijëra zjarrfikës në Evropë po punojnë për të frenuar flakët e ndezura nga temperaturat e larta, kushtet e thata dhe erërat e forta.

Por jo më pak nga zjarri i vënë qëllimisht.

Prokurorët në Palermo të Italisë kanë nisur një hetim për zjarret që kanë goditur kryeqytetin sicilian.

Sipas hetuesve, dhjetëra zjarre mund të jenë vënë qëllimisht nga njerëzit, me erëra të nxehta dhe kushte të thata që nxisin flakët.

Për vite me radhë, mafia siciliane dyshohet se është përfshirë në zjarre, të shtyrë nga kontratat fitimprurëse të ripyllëzimit, megjithëse kjo lidhje nuk është vërtetuar në zjarret e kësaj jave.

Ndërkohë, gjithë Italia është goditur nga stuhi të dhunshme dhe zjarre. Të paktën shtatë persona u vranë të martën pas stuhive në veri dhe zjarreve në Siçili.

Mes të vrarëve ishte edhe një vajzë 16-vjeçare.

Banorët e Milanos raportuan për shi të rrëmbyeshëm dhe breshër mëngjesin e së martës, të cilat përmbytën rrugët dhe shkulën pemët, disa prej të cilave ranë në makina të parkuara.

Teksa veriu u përmbyt, vala e të nxehtit në të gjithë jugun vazhdoi, me temperatura 47.6 gradë Celsius të regjistruara në qytetin lindor të Sicilisë të Catania të hënën.

Zjarrfikësit italianë luftuan me rreth 1 mijë e 400 zjarre midis të dielës dhe të martës, duke përfshirë 650 në Siçili dhe 390 në Kalabria, rajoni jugor ku një burrë 98-vjeçar i shtrirë në shtrat u vra teksa zjarri i përfshiu shtëpinë e tij.

Nga ana tjetër, Greqia është goditur veçanërisht rëndë këtë verë, me autoritetet që evakuuan më shumë se 20 mijë njerëz ditët e fundit nga shtëpitë dhe vendpushimet në jug të ishullit të pushimeve të Rodosit.

Afro 3 mijë turistë u kthyen në shtëpi me avion që nga e marta.

Dy pilotë të zjarrfikësve vdiqën kur avioni i tyre, i cili kishte rënë ujë, u rrëzua në një kodër afër qytetit të Karystos në ishullin Evia, në lindje të Athinës.

Trupi i një fermeri 41-vjeçar, i zhdukur që nga e diela, u gjet gjithashtu në një kasolle në një zonë të thellë.

Janë urdhëruar evakuime të reja gjatë natës në ishujt e Korfuzit, Evias dhe Rodosit, ku mijëra turistë u zhvendosën në vend të sigurt gjatë fundjavës.

Kurse në Francë, gati 100 zjarrfikës po përpiqen të frenojnë një zjarr në komunat Cagnes-sur-Mer dhe Villeneuve-Loubet, afër aeroportit ndërkombëtar të Nicës.

Autoritetet e atjeshme shohin një rrezik shumë të lartë të zjarreve. Më shumë 300 zjarrfikës po luftonin për të kontrolluar zjarret pranë qytetit të Arles.

Kroaci, erërat kanë qenë aq të forta sa avionët zjarrfikës nuk mund të ngriheshin.

Zjarrfikësit luftuan me zjarret që po përhapeshin në jug të qytetit të Dubrovnikut të Adriatikut, një destinacion turistik, të martën vonë.

Ndërkaq, erërat kanë sjellë fatkeqësi edhe në Malin e Zi fqinj, ku dy persona u mbytën dhe disa u plagosën kur erërat e forta jugore goditën bregdetin.

Portugali, zakonisht një nga vendet evropiane më të goditura nga zjarret, sipas të dhënave të BE-së, qindra zjarrfikës portugez u përpoqën të martën për të shuar flakët pranë destinacionit popullor të pushimeve të Cascais, me erërat e forta që ndërlikuan përpjekjet.

Zjarri filloi në një zonë malore të parkut Sintra-Cascais, i cili mbulon rreth 145 kilometra katror në perëndim të Lisbonës.

Më shumë se 600 zjarrfikës u dërguan dhe avionët me ujë gjithashtu luftuan me flakët, por iu desh të ndalonin së vepruari me fillimin e natës.

Portugalia është nën një thatësirë të përhapur duke prekur 90% të vendit.

Ndërsa në Turqi, një spital dhe një duzinë shtëpish u evakuuan si masë paraprake në qytetin bregdetar të Kemerit, ku zjarrfikësit luftuan për të tretën ditë me një flakë që shpërtheu në një pyll.

Të paktën 10 avionë, 22 helikopterë dhe qindra zjarrfikës u vendosën për të shuar zjarrin pasi meteorologët paralajmëruan se temperaturat mund të rriten disa gradë mbi mesataret sezonale.

Pse është kaq nxehtë në Evropë këtë vit?

Organizata Botërore Meterologjike ka njoftuar se korriku filloi me javën më të nxehtë të regjistruar.

Kjo, për shkak të një kombinimi të ndryshimeve klimatike dhe El Nino – një fenomen i motit që ngroh Oqeanin Paqësor.

Por nivelet e fundit janë përkeqësuar nga anticiklonet Cerberus dhe Charon. Këto zona me presion të lartë filluan në Sahara përpara se të kalonin nëpër Afrikën veriore dhe në Mesdhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore