Shqipëria

Ndryshimet janë pjesë e PS-së, thotë Edi Rama


Në një deklaratë për mediat – pas përfundimit të Asamblesë së Partisë Socialiste – Edi Rama u shpreh se ndryshimet janë pjesë e jetës së selisë rozë.

Kështu ai nuk mohoi zërat për ndryshime të drejtuesve politikë të qarqeve, pasi sipas tij kjo është dhe arsyeja se pse PS është parti fituese.

“PS nuk pret ta ndryshojnë të tjerët, por ndryshon vetë. Megjithatë unë shoh angazhim pozitiv dhe sistemi ynë që ka një komponent më të zhvilluar digjital ka pasqyra që flasin vetë”, tha Rama.

Më tej ai u shpreh se tani “jemi në fazën e dytë, siç e vendosëm në Asamble, që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja dhe balancimin e barazisë gjinore në çdo qark”.

Rama ka kërkuar nga partia që ai drejton një regjistrim real të anëtarëve, pra zhvillimin e një censi dhe më pas paralajmëroi se do të zhvillohen zgjedhjet.

“Janë konstatuar probleme në përbërjen e organizatave dhe regjistrin e partisë. Ka nevojë për të arritur me balancën gjinore në bashkëdrejtimin e organizatave të Partisë. Duhet një census real i anëtarëve aktivë”, mësohet të ketë thënë Rama në takim.

Ai u shpreh se do një dokumentim organizatë më organizatë prej çdo drejtuesi politik.

“Dua raport dhe fotografi. Pas kësaj bëjmë zgjedhje 15 mars-15 prill. Duhet ripërtëritje të çdo qelize të partisë”.

Kështu  – sipas tij – barrën kryesore e kanë drejtuesit politikë edhe pse kanë ngarkesë të madhe.

“Të bëhet edhe një analizë për çdo kryetar njësie organizative. Duhet të na përfaqësojnë totalisht në këtë përpjekje. Strukturat janë aty për hallet e njerëzve. Të ketë një inventar për çdo familje”.

Ndërkohë kujtojmë se në mbledhjen e Asamblesë, zhvilluar më 11 shkurt, ku u etiketua edhe si një nisje reale e fushatës 2025, Rama tha se kishte qasje vetëkritike nga eksponentët e majtë.

Kryesocialisti theksoi se “do të rihyjmë në proces për zgjedhjet”.

“Nga 15 prilli do të përgatitemi për procesin me një anëtar një votë. Kështu që jemi sipas parashikimeve dhe në funksion të objektivit që në zgjedhjet e ardhshme të marrim fitoren më shembullore të të gjithë këtyre proceseve zgjedhore”, tha Rama.

Ai shtoi se “kemi konstatuar me kënaqësi mbi 55 mijë anëtarë të PS”.

“Ka pasur problematika me organizimin se ka pasur lëvizje demografike nga brenda jashtë dhe nga jashtë brenda. Ka pasur anëtarësime të reja, po nuk ka qenë ky objektivi i kësaj faze. Unë kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, qeveria dhe PS sepse pakënaqësia më ka veçuar përpara dhe shyqyr që kemi pakënaqësi”.

Nga ana tjetër, Taulant Balla, u shpreh se është një organizim i brendshëm dhe se PS është e vetmja parti që ka institucione të brendshme funksionale.

Takimi i fundit i anëtarëve të Asamblesë ishte më 11 shkurt ku u bë një analizë e strukturave socialiste në qarqe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore