Lajme

Ndotja mund të ulë me 9 vjet jetëgjatësinë e 40% të indianëve


Sipas një raporti të publikuar nga një grup kërkimor amerikan, ndotja e ajrit ka të ngjarë të zvogëlojë jetëgjatësinë e afro 40 për qind të indianëve me më shumë se nëntë vjet.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se, më shumë se 480 milionë njerëz që jetojnë në zonat e gjera të Indisë qendrore, lindore dhe veriore, përfshirë kryeqytetin New Delhi, durojnë nivele dukshëm të larta të ndotjes.

Kjo, në bazë të raportit të përgatitur nga Instituti i Politikave të Energjisë në Universitetin e Chicago-s (EPIC).

“Në mënyrë alarmante, nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Indi janë zgjeruar gjeografikisht me kalimin e kohës”, ka nxjerrë raporti i EPIC.

Më konkretisht, cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm në shtetin perëndimor të Maharashtra dhe shtetin qendror të Madhya Pradesh.

Duke lavdëruar Programin Kombëtar të Ajrit të Pastër të Indisë (NCAP), nisur në vitin 2019 për të frenuar nivelet e rrezikshme të ndotjes, raporti i EPIC ka nxjerrë se “arritja dhe mbështetja” e qëllimeve të NCAP do të rrisë jetëgjatësinë e përgjithshme të vendit me 1.7 vjet dhe atë të New Delhi-t me 3.1 vjet.

NCAP synon të zvogëlojë ndotjen në 102 qytetet më të prekura nga 20 deri në 30 për qind deri në vitin 2024 duke siguruar shkurtime në emetimet industriale dhe shkarkimin e automjeteve, duke futur rregulla të rrepta për karburantet e transportit dhe zvogëlimin e ndotjes së pluhurit.

Gjithashtu do të përfshijë sisteme më të mira monitorimi.

Sipas IQAir, një grup zviceran që mat nivelet e cilësisë së ajrit bazuar në përqendrimin e grimcave ajrore të njohura si PM2.5, New Delhi ishte kryeqyteti më i ndotur në botë për të tretin vit radhazi në vitin 2020.

Vitin e kaluar, 20 milionë banorët e tij, të cilët thithën ajrin më të pastër të regjistruar gjatë verës për shkak të kufizimeve të coronavirus-it, luftuan ajrin toksik në dimër pas një rritje të mprehtë të djegies së mbetjeve të fermave në shtetet e afërta të Punjab dhe Haryana.

Referuar gjetjeve të EPIC, Bangladeshi fqinj mund të rrisë jetëgjatësinë mesatare me 5.4 vjet, nëse vendi përmirëson cilësinë e ajrit në nivelet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Ndërkohë, për të arritur në numrin e jetëgjatësisë, EPIC ka krahasuar shëndetin e njerëzve të ekspozuar ndaj niveleve të ndryshme të ndotjes afatgjatë të ajrit dhe ka aplikuar rezultatet në vende të ndryshme në Indi dhe gjetkë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore