Lajme

Ndikimi i sulmit izraelit në Gaza është i ngjashëm me armët kimike, zbuloi raporti i OJQ-ve


Në bazë të një raporti, një sulm ajror izraelit, në një magazinë agrokimike gjatë luftës së vitit të kaluar në Gaza, arriti në “vendosje indirekte të armëve kimike”.

Predha artilerie ndezëse të lëshuara nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) goditën magazinën e madhe të Mjeteve Farmaceutike dhe Bujqësore Khudair në veri të Rripit të Gaza-s më 15 maj të vitit të kaluar, duke u vënë flakën qindra tonëve pesticide, plehra, plastikë dhe najlone.

Shpërthimi krijoi një shtëllungë toksike, e cila përfshiu një sipërfaqe prej 5.7 km katrore, duke i lënë banorët lokalë të luftojnë me probleme shëndetësore – përfshirë dy raportime për abort dhe indikacione për dëmtime mjedisore.

Hetimi përfshinte analizimin e pamjeve të telefonit celular dhe dronëve.

CCTV-ja (një sistem televiziv në të cilin sinjalet nuk shpërndahen publikisht, por monitorohen, kryesisht për qëllime vëzhgimi dhe sigurie), pas dhjetëra intervistave me banorët dhe analizash nga ekspertët e municioneve dhe dinamikës së lëngjeve, raportoi se u përdor modelimi 3D i magazinës për të përcaktuar rrethanat e sulmit.

Është publikimi i parë nga njësia e hetimit të arkitekturës mjeko-ligjore të OJQ-së palestineze të të drejtave të njeriut Al-Haq, një bashkëpunim i parë i këtij lloji në Lindjen e Mesme me “Forensic Architecture”, agjenci kërkimore me bazë në Goldsmiths, Universiteti i Londrës, e cila mbart analiza hapësinore dhe mediatike për OJQ-të dhe në rastet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ekspertët ligjorë dolën në përfundimin nga gjetjet e Al-Haq se, ndërsa armët konvencionale u përdorën në bombardime, “granatimi i magazinës, me njohuri për praninë e kimikateve toksike të ruajtura aty, është i barabartë me armët kimike nëpërmjet mjeteve indirekte. Akte të tilla janë qartësisht të ndaluara dhe të ndiqen penalisht sipas Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare”.

256 persona në Gaza dhe 14 në Izrael vdiqën në luftën 11-ditore majin e kaluar midis Izraelit dhe Hamas-it, grupit militant palestinez që kontrollon rripin e rrethuar.

Al-Haq tha se sulmi në magazinën Khudair ishte i pari i një serie sulmesh që synonin qëllimisht infrastrukturën ekonomike dhe industriale të Gaza-s, me gjysmë duzinë fabrika dhe depo të tjera të bombarduara sistematikisht.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) hapi një hetim në vitin 2019 për krimet e luftës, të cilat dyshohet se janë kryer nga forcat izraelite dhe militantët palestinezë në territorin palestinez.

Izraeli kundërshton juridiksionin e ICC-së.

IDF-ja, në përgjigje të sulmit të sulmeve nga Hamas-i, në një deklaratë tha se Izraeli kishte “kryer një seri sulmesh ndaj objektivave legjitime ushtarake në Rripin e Gaza-s” vitin e kaluar gjatë atij që në Izrael njihet si Operacioni Ruajtësi i Mureve.

Luftimet e vitit të kaluar ishin raundi i tretë i konfliktit në shkallë të plotë midis shtetit izraelit dhe Hamas-it, që kur grupi mori kontrollin e Gaza-s në vitin 2007, pas së cilës Izraeli dhe Egjipti vendosën një bllokadë ndëshkuese.

Që atëherë, infrastruktura e ujit, kanalizimeve dhe elektricitetit të brezit është shembur, duke i lënë 2 milionë banorët e Gaza-s në luftë me nivelet në rritje të ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit.

Al-Haq, i cili vepron në Gaza dhe Bregun Perëndimor, është sulmuar gjithashtu nga autoritetet izraelite.

Vitin e kaluar, OJQ-ja ishte një nga gjashtë organizatat kryesore të shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut që punonin në territoret e pushtuara palestineze të përcaktuara si organizatë terroriste.

Vendimi është dënuar gjerësisht nga OKB-ja, qeveritë perëndimore dhe organizata të njohura ndërkombëtare si “Amnesty International”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore