Lajme

Ndikimi i Brexit-it në bizneset evropiane


Kanë kaluar pothuajse dy muaj që kur marrëveshja e tregtisë së lirë të Mbretërisë së Bashkuar (UK) pas Brexit me Bashkimin Evropian (BE) hyri në fuqi.

Sipas rregullave të reja, kompanitë evropiane duhet të paguajnë drejtpërdrejt TVSH-në në UK, për shitjet nën 135 paund. Kështu, bizneset tani duhet të regjistrohen dhe të paraqesin deklarata tremujore tek autoritetet britanike.

Ndryshime të tjera përfshijnë kontrollet doganore dhe dokumente shtesë.

Por, si janë përshtatur deri tani bizneset evropiane dhe çfarë ndikimi kanë pasur ndryshimet?

Laurent Caplat, themelues i dyqanit francez të ushqimit në internet, BienManger.

BienManger është dyqan ushqimi francez që transporton ushqime online. Dyqani mori porositë e tij të fundit nga Britania në 18 dhjetor dhe i dërgoi ato përpara se rregullat e reja të hynin në fuqi më 1 janar. Është e paqartë nëse dhe kur do të rifillojë shërbimi në UK.

Laurent Caplat, themelues BienManger, tha se vetëm 20% të porosive tona vijnë nga jashtë Francës.

“Tregu i Mbretërisë së Bashkuar nuk është thelbësor për biznesin tonë, por klientët në Britani po kërkojnë këto produkte dhe do të ishin të lumtur po t’i gjenin në faqen tonë të internetit”.

Caplat tha se edhe pak muaj para se Brexit të ndodhte, kishte paqartësi në lidhje me çfarë do të ndodhte më pas.

Themeluesi i dyqanit online pranoi qe do kishte dëshirë të fillonte shitjet në Britani, por duhet kohë që të mësohen me ndryshimet dhe kostot e përfshira.

Thomas Leppa, bashkëthemelues i kompanisë finlandeze të dizajnimit të afisheve në internet, “Made of Sundays”, gjithashtu thotë që rreth 20% e eksporteve të kompanisë së tyre shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Problemi më i madh që kjo kompani ka është tek konfuzioni i klientëve. Këta të fundit nuk e kanë të qartë sesi funksionon sistemi i taksave, kështu që shumë herë ndodh çudi kur shohin se çmimi i produktit në Britani është më i lartë se dikund tjetër.

Gjithashtu, deklaron Leppa, problem është edhe kontabiliteti. Pasi tanimë kompanisë i shtohet edhe një shtet tjetër të cilit i duhen llogaritur taksat, që në fund të vitit t’jua dorëzojnë autoriteteve finlandeze.

“Ne nuk e kemi në plan t’i shkëpusim marrëdhëniet me Britaninë”.

Harald Mücke, pronar i dyqanit online gjerman Spielmaterial.de, që shet lojëra tavoline thotë që kompania e tij e ka ndaluar shitjen drejtpërdrejtë klientëve në Britani. Shkak për këtë është bërë taksimi për produktet nën 135 paund.

Gjithashtu, shton Mücke, ne duhet edhe të azhurnojmë sistemin tonë të dyqaneve online që të adaptojmë sistemin e TVSH-së dhe shpenzimet e transportit. Ky azhurnim kushton me mijëra euro, shton pronari i dyqanit online.

“Britania e Madhe është i vetmi vend në botë që merret me taksat në këtë mënyrë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore