Lajme

Ndihma energjetike për Malin e Zi – pritet vizita e von der Leyen


Ursula von der Leyen

Bashkimi Evropian (BE) do ta paraqesë paketën e mbështetjes energjetike për Malin e Zi kur presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do ta vizitojë së shpejti vendin, konfirmoi zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero për Radio Evropa e Lirë (RSE).

Për shkak të motit të keq në fund të tetorit, vizita e von der Leyen në Podgoricë ishte shtyrë, megjithatë Pisonero për RSE theksoi se po bëhen përgatitje që së shpejti të realizohet kjo vizitë.

“Në rastin e Malit të Zi, për fat të keq, presidentja nuk ishte në gjendje të udhëtonte në Mal të Zi për shkak të motit të keq, por shpresojmë të planifikojmë një vizitë përsëri së shpejti dhe të njoftojmë mbështetjen dypalëshe”.

KE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje prej 500 milionë eurove për Ballkanin Perëndimor, e cila do të miratohet në dhjetor, shumë kjo që do të jetë në dispozicion menjëherë në fillim të vitit 2023.

Sipas Pisoneros, kjo paketë do të mbështesë familjet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë.

Paketa e mbështetjes energjetike për të gjithë Ballkanin Perëndimor, do të adresojë nevojat me të cilat po përballet rajoni.

Gjatë vizitave të saj në Ballkanin Perëndimor, von der Leyen, premtoi ndihmë të menjëhershme për çdo vend.

Kështu, Kosova do t’i përfitojë 75 milionë euro, Shqipëria do të marrë 80 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina 70 milionë euro, , Maqedonia e Veriut 80 milionë euro dhe Serbia 165 milionë euro.

Shuma e saktë që do të marrë Mali i Zi nga kjo pako do të bëhet e ditur gjatë vizitës së radhës të presidentes së KE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore