Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do zhvillohet nën masa të rrepta sigurie

Valon Rashiti
12.11.2023 9:26
Loading Icons...

Nën masa të rrepta sigurie pritet të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” në ora 20:45 në Prishtinë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë siguri të përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtim të masave të sigurisë, ndërmarrje të masave të nevojshme policore, parandalim dhe luftim të dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme.

Sipas njoftimit, në stadium nuk do të lejohen mjetet piroteknike, shishet e qelqit, shishet e plastikës, pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqimi i çfarëdo lloji, ombrella, armë zjarri, armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë, sende të rënda, kamera profesionale e “çdo material promovues racist, ksenofobik, politik e fetar”.

“Përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe akterëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin”, thuhet në njoftim.

Organet e rendit për këtë ndeshje kanë kërkuar nga qytetarët që maksimalisht të respektojnë rregullat e parapara, në të kundërtën ata mund të jenë subjekt i ndëshkimit.

Muriqi: Fishkëllimat dhe protestat nuk mund t’i ndalim

Kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqi, tha se nuk është në dorën e lojtarëve t’i ndalin fishkëllimat dhe protestat e tifozëve në stadium, me të cilat futbollistët e Izraelit mund të përballen gjatë ndeshjes së tyre kundër verdhekaltërve.

“Për Izraelin është lojë e veçantë, por nuk dua të flasë jashtë fushës. Fishkëllimat ka në të gjitha stadiumet dhe fishkëllimat dhe protestat ne nuk mund t’i ndalim, kështu që, ne brenda fushës do të mundohemi të luajmë futboll, sa i përket tifozëve jashtë fushës, secili e ka përgjegjësinë e vet, prandaj nuk jam i interesuar për këtë punë personalisht”, tha Muriqi.

Muriqi, po ashtu ka deklaruar se janë kontrolluar nga policë të Izraelit në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

“Në aeroportin tonë të Kosovës ka pasur policë të Izraelit, që kanë ardhur special të na kontrollojnë. Ne po shkojmë për sport jo të luftojmë”, theksoi ai.

Por, më vonë përmes një reagimi Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se deklarata e Muriqit është keqkuptuar.

“Në prononcimin e tij të sotëm, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtruar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit”, thuhet në reagimin e FFK-së të shtunën.

Hazan: Do bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje

Trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni Eli Dasa e falënderuan Kosovën për mirëpritjen, pasi mbërritën në kryeqytetin kosovar të premten nën masa të rrepta të sigurisë.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë nëse kjo ndeshje është barrë për ta, Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.

“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.

Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.

Mundësia që ndeshja të zhvillohej pa praninë e tifozëve u përfol në rrjetet sociale, pasi që Kosova – vend me shumicë myslimane – do të mund të gjobitej dhe ndëshkohej nga UEFA, nëse në stadium do të ndodhte ndonjë incident, shkaku i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit militant që kontrollon Rripin e Gazës.

Kujtojmë se Kosova dhe Izraeli janë pjesë e Grupit I në kualifikuese. Në takimin e parë, skuadrat u ndan në barazim 1-1.

Aktualisht, Grupi I kryesohet nga Rumania me 16 pikë, ndiqet nga Zvicra me 15 pikë, Izraeli 11 pikë, Kosova 7 pikë, Bjellorusia 6 pikë dhe Andorra 2 pikë.

Të fundit

Aktuale