Art&dizajn

Ndërtesa e çmimeve ‘Nobel’ kthehet në qendër vaksinimi


Pandemia ka ndikuar edhe në funksionin e ambjenteve ku janë zhvilluar evente kulturore. City Hall, ambjenti ku mblidhet Këshilli i Bashkisë së Stokholmit në Seudi, si dhe vendi që pret ceremoni të mëdha, përfshirë dhe ato të ndarjes së çmimeve Nobel, tanimë shërben si qendër vaksinimi.

Doktoresha e cila po ndihmon me organizimin e proçesit të vaksinës, Charlotta Zacharias, e ka vlerësuar maksimalisht hapsirën.

“Jemi shumë me fat që kemi këtë vend për të kryer vaksinimin, është hapësirë e madhe dhe mund të vijnë shumë njerëz. Kjo është historike”, është shprehur ajo.

Në vijën e parë të marrjes së vaksinës janë vetë stafi mjekësor. Njëri nga ata e ka përshkruar vaksinimin në atë ndërtesë si një emocion të veçantë.

“Të vaksinohesh në City Hall ishte shumë e bukur, me tavanet e larta, e ajrosur dhe e këndshme. Nuk kisha qenë këtu më parë”, është shprehur Anneli Ljungqvist.

Ndërtesa e City Hall, është një nga shembujt kryesorë të romantizmit në arkitekturë. Ajo është projektuar nga arkitekti, Ragnar Östberg, dhe është ndërtuar nga tetë milionë tulla.

Kulla e lartë 106 metra ka në majën e saj tre kurora, me stemën kombëtare suedeze. Pas fasadave të mrekullueshme ndodhen zyrat dhe sallat e seancave për politikanë dhe zyrtarë, si dhe dhomat e mbledhjeve të artit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore