Kosova

Ndërpritet seanca gjyqësore ndaj Nagip Krasniqit


Ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

(Ky lajm është përditësuar)

Seanca fillestare ndaj ish kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është ndërprerë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të avokatit të Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga.

Kjo pasi që i njëjti ka paraqitur vërejtje para gjyqtarit Arben Hoti lidhur me shkresat e lëndës, duke thënë se disa dokumente, përfshirë prova dhe deklarata, nuk i janë prezantuar fare mbrojtjes nga Prokuroria.

Seanca ndaj Krasniqit ka nisur rreth orës 09:30.

Aktakuza që ishte ngritur më 21 gusht ndaj Krasniqit, është plotësisht e ndarë nga hetimi për të cilin është arrestuar vitin e kaluar.

Për çfarë akuzohet Nagip Krasniqi?

Më 19 prill të vitit të kaluar, Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Kush është Nagip Krasniqi?

Nagip Krasniqi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shumë vjet dhe para se të emërohej nga Qeveria kryeshef i KEK-ut, kishte mbajtur pozitën drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.

Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve të kohës, ishte shkarkuar nen dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore