Lajme

Ndërlidhja e dialogut me vizat, Abazi: Dështim i të gjithëve, qytetarët nuk duhen paguar gabimet e të tjerëve


Haki Abazi

“Prezantimi i Kosovës në mediat ndërkombëtare si vend i krizës dhe i konfliktit frikëson investitorët dhe i mbanë larg turistët. Kjo e dëmton ekonominë tonë dhe e ngadalëson zhvillimin e përgjithshëm”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme Haki Abazi dhe njëherit deputet i Lëvizjes Vetëvendosje kur ka komentuar marrëveshjen për targat e arritur të mërkurën në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij situata e tensionuar në Veri të vendit i ka shkuar përshtati vetëm Serbisë.

“Këtë strategji Serbia e ka përdorur në vazhdimësi që ta bëjë jetën e vështirë të qytetarëve tanë, rrjedhimisht të ketë fluks të madh të largimit të qytetarëve nga Kosova”.

Ai ka kërkuar që të ketë më shumë transparencë në procesin e dialogimit me Serbinë, kjo pasi që sipas tij një gjë e tillë Kosovën e bënë më të fortë në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

“Përdorimi i vizave si mjet i presionit nga ana e BE-së tregon qartazi që vizat kanë qenë në vazhdimësi të ndërlidhura me dialogun dhe kjo vërtetë është dështim i të gjithëve. Andaj, qytetarët nuk duhet paguar dënimin për gabimet e të tjerëve”.

Marrëveshja finale me Serbinë, sipas Abazit, duhet të vendoset në tavolinë urgjentisht, për të mos u bërë peng i lojërave dhe manovrimeve taktike që vijnë nga Beogradi për të sabotuar të ardhmën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

“Ekipi negociator duhet të zgjerohet, të jetë gjithëpërfshirës dhe të ketë komunikim të rregullt me publikun. Vetëm kështu mund të sigurohemi që marrëveshja do të jetë e mirë dhe pronësinë e saj do ta kenë qytetarët e vendit. Kjo kohë nuk është për triumfalizëm, kjo kohë është për unifikim të gjithmbarshëm”, ka shtuar ai.

Bislimi pritet të niset për Bruksel, takim me Lajçak-un

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore