Lajme

S’ka anëtarësim në KiE pa zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, ndërkombëtarët shtojnë presionin


Manastiri i Deçanit

Viti 2024 ka nisur me një presion të shtuar për nevojën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Jorn Rohde, Tomas Szuynog e Viola von Cramon së fundmi kanë ri-amplifikuar domosdoshmërinë e zbatimit të vendimit në fjalë ndërsa kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa imediate në këtë drejtim.

I pari i cili kërkoi nga ekzekutivi kosovar të procedoj me çështjen e Manastirit të Deçanit ishte ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në të kundërtën, sipas tij, rruga e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës rrezikohet.

Thënë kjo, Rohde qartësisht potencoi se Kosova nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës pa e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Sipas tij vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen në çdo vend, posaçërisht kur në pyetje janë pakicat ose të drejtat fetare.

“Nganjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, tha Rohde në një intervistë për mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Pa zbatimin e vendimit të Kushtetuese për Manastirin e Deçanit s’ka anëtarësim në KiE, thotë Rohde

Të njëjtin konstatim pati edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e cila  shprehu rezerva për anëtarësim potencial të Kosovës në Këshillin e Evropës në të ardhmen e afërt.

Eurodeputetja gjermane, duke folur në një emision me emrin “Slobodno srpski”, deklaroi se Kosova vështirë se mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sidomos për shkak të mos-zbatimit të vendimit për Manastirin e Deçanit dhe deklarimet publike të liderëve kosovarë se nuk do të ecin tutje me këtë vendim.

“Mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara me të, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Evropës duke u thënë se kjo qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ecin përpara me aplikimin”, kishte thënë Von Cramon.

“Ky është vetëm një rast, por që nuk duhet nënvlerësuar, sepse liria e besimit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren shumë seriozisht nga Këshilli i Evropës”.

Von Cramon: Vështirë që Kosova do avancojë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Se Kosova duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pa humbur kohë e tha së fundmi edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili i shoqëruar nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, të martën takoi Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, ambasadori çek, ka kërkuar që autoritetet kosovare të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit”, ka potencuar Szunyog.

Szunyog e Barbano vizitojnë Gjykatën Kushtetuese, kërkojnë zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

Institucionet kosovare me vite me radhë refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, pasi vlerësojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Sipas autoriteteve lokale dhe qendrore, vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë nga vitet e 90-ta.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.

Vlerësimi se Kosova nuk mund të jetë anëtare e KiE-së pa zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit ishte dhënë edhe në raportin e dy juristëve eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert të cilët në shtator të vitit të kaluar kishin vizituar Kosovën në një mision faktmbledhës  në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përveç Manastirit të Deçanit, avokatët eminentë të angazhuar nga Këshilli i Evropës kishin potencuar në raportin e tyre se Qeveria e Kosovës duhet ta braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë nëse dëshiron anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore