Lajme

“Ndërhyrje e dëmshme në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor”, KGJK për koeficientin


Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar për koeficientin në vlerë 105 euro për paga në sektorin publik.

Sipas KGJK-së, kjo paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

“Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatën e KGJK-së, pas mbledhjes së mbajtur sot, së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

“Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian“, thuhet tutje në komunkatë.

KGJK i ka bërë bëri thirrje Avokatit të Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore, për të kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor”.

Nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për mijëra punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

Vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është parapara që nga viti 2024 të jetë 110 euro. Uljen e vlerës së koeficientit e ka bërë publike vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Pas këtij procesi voluminoz e shumë kompleks, kemi arritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 që është 105, e nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave e Transfereve, ai do të jetë 110″, tha Kurti të mërkurën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore