Lajme

Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet e RMV-së, Çitaku: E turpshme, kryeministri ka mosdurim për liderët politik të UÇK-së


Vlora Çitaku

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka një mosdurim për secilin lider politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këto komente, Çitaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke komentuar ndërhyrjen e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke u rreshtuar kundër liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), njëherit ish-komandantit suprem të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti.

Ajo ka thënë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut “i kanë dalë hakut Kosovës”.

“Na i kanë hapur dyert dhe zemrat në orët tona më të vështira. Pa kushte. Për më tepër djem e vajza erdhën dhe me vetmohim luftuan për lirinë tonë. Disa e dhanë edhe jetën”, shtoi.

Dy dekada pas, potencoi Çitaku, shqiptarët në Maqedoninë Veriore janë faktorë me peshë, sipas saj, janë më meritorët për mirëmbajtjen e kursit euroatlantik të vendit të tyre.

“E çka bënë Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës sot? Ndërhynë brutalisht në zgjedhjet atje, duke përçarë shqiptarët. Duke shpifur e manipuluar”, pohoi ajo, teksa shtoi se “seç e ka një mosdurim Kryeministri Kurti për secilin lider politik të UÇK-së”.

Kjo qasje, në vlerësimin e Çitakut, është “e turpshme, e mjerë dhe e rrezikshme”.

Ndryshe, Kurti është përfshirë drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale (24 prill raundi i parë) dhe ato parlamentare (8 maj, së bashku me raundin e dytë të atyre presidenciale), të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë mbështetje opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj, Ali Ahmeti, i cili do të garojë në zgjedhje me koalicionin “Fronti Evropian”.

Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe kreu i BDI-së, Ahmeti.

Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore