Shqipëria

Ndarje nga Shkupi? – Tirana mund ta kërkojë


Çështja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, është rikthyer sërish në vëmendje pas rezultateve të Këshillimit Kombëtar, i cili u realizua në Shqipëri në një shtrirje thuajse tremujore dhe si përgjigje ndaj kësaj pyetjeje, mori mbështetje më të madhe shkëputja e Tiranës nga Shkupi në proces.

Një kërkesë e tillë – faktike – mund të bëhet nga vetë kryeministri Edi Rama, nëse vendimi i qershorit, sa i përket konferencës së parë ndërqeveritare, vijon të mbetet mohues.

Nga ana tjetër, zëdhënësja për shtyp e BE-së për politikat e jashtme, Ana Pisonero, në një përgjigje të dhenë për Albanian Post, e bëri të qartë se qëndrimi evropian nuk ndryshon dhe ndarje të dy shteteve në proces, nuk do të ketë.

Zëdhënësja për shtyp e BE-së për politikat e jashtme, Ana Pisonero

Praktikisht, opsioni i vetëm i Shqipëri për ta nisur këtë vit procesin, do të varet sërish nga vetoja që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut.

Se sa e drejtë do të ishte kjo gjë dhe sa legjitime do të qe kërkesa e Tiranës për shkëputje, e ka zbërthyer për Albanian Post gazetari dhe analisti politik, Xhelal Neziri, i vendosur në Tetovë.

Legjitimiteti

“Po, është një vendim plotësisht i drejtë dhe legjitim”, i referohet Neziri një kërkese të mundshme për ndarje, nga ana e Tiranës.

“Shqipëria për gati dy vite është viktimë e një mosmarrëveshjeje historike, bilaterale midis Shkupit dhe Sofjes. Është jashtë logjikës së shëndoshë që një problem dypalësh të bllokojë integrimin në një strukturë shumëkombëshe, siç është integrimi evropian, por realiteti është ky që është”.

Gazetari dhe analisti politik, Xhelal Neziri

Sipas analistit, pritja për zgjidhjen e debatit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, do të ishte kohë e humbur për Tiranën. Aq, sa gjatë kësaj periudhe, shqiptarët do të mund të kishin avancuar së tepërmi në klasterin e kapitujve.

Mbi të gjitha, këtu, ai i referohet aty që i përkasin shtetit ligjor, reformës në drejtësi dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai në vëmendje sjell edhe rastin e mëparshëm të vitit 2019, kur Franca i pati bllokuar dy vendet aspirantë, nën pretekstin e metodologjisë. Mirëpo informacionet reale, ishin ato se disa vende të unionit, patën kundërshti për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Shkak për këtë, ishte faktori i krimit të organizuar në vend, pasi mendohej se eksponentë shqiptarë e përhapnin edhe në Evropë fenomenin dhe ushtronin veprimtari të jashtëligjshme atje.

Kjo gjë, e bllokoi vetvetiu edhe Maqedoninë e Veriut dhe debate të shumta u zhvilluan mbi çështjen, nëse Shkupi duhej apo jo të penalizohej nga kjo gjë.

Sheshi “Maqedonia”, Shkup

Edhe ato debate sipas Nezirit, ishin legjitime në atë kohë.

Pavarësisht këtij fakti, sërish ai mendon se është një faktor pozitiv, që vendet të ecin në grup drejt BE-së. Por, kjo duhet të ndodhë pa penguar njëri-tjetrin.

“Ideale do të ishte që i tërë Ballkani Perëndimor përnjëherë të bëhet pjesë e BE-së, por kjo duket se do të jetë e pamundur”, përmbledh ai.

Shkupi nën presion – Mosmarrëveshje me Tiranën?

“Nëse Shqipëria shkëputet, kjo do të paraqiste një lloj presioni ndaj Maqedonisë së Veriut dhe një lehtësim ndaj Bullgarisë”.

Kështu e vijon mendimin e tij mbi çështjen Neziri, i cili thotë se situata për Shkupin, do të ishte e ngjashme me atë të vitit 2008, kur Greqia i bllokoi ftesën për anëtarësimin në NATO.

Mirëpo kjo gjë, rezultoi e rrezikshme asokohe, pasi pati pakënaqësi të madhe publike për Aleancën Veriatlantike dhe pati gjithashtu një rritje të simpatisë kundrejt Rusisë dhe Kinës në Maqedoni.

Megjithatë, ai nuk mendon se kërkesa e mundshme e Shqipërisë, do të përkeqësonte raportet mes dy vendeve.

“Nuk është fajtore Shqipëria për vonesën e hapjes së negociatave”, mendon ai.

Vetëm apo bashkë?

Pyetje, mbetet gjithsesi e shtruar në tryezë, nëse integrimi duhet të kryhet i vetëm apo dual.

Mbi të gjitha, edhe pse ka një qëndrim të prerë nga unioni se ndarje nuk ka, nuk dihet me siguri se çfarë mund të ndodhë, nëse Tirana e bën formalisht kërkesën.

Lufta në Ukrainë, është një tjetër aspekt, i cili duhet marrë parasysh, pasi BE-ja i ka sytë tërësisht për nga Kievi momentalisht dhe rajoni, po ndikohet nga luftimet atje.

Për këtë fakt dhe për arsye se integrimi nuk është thjesht një proces politik, por edhe i sigurisë, Neziri shtjellon se “është arsye e mjaftueshme për bashkësinë evropiane, që ta planifikojë integrimin e shteteve në blloqe”.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev

Qëllimi, është ai që integrimi të sjellë paqe sipas tij, siguri dhe progres, jo të shkaktojë trazira.

“Ecja para e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe ngecja e Maqedonisë së Veriut mund të krijojë një ambient të tillë politik, i cili do të prodhonte iniciativa në kundërshtim me vlerat evropiane”, argumenton studiuesi i shkencave politike.

“Ukraina këtu është një moment tjetër që rrit shqetësimet e sigurisë. Lënia e Maqedonisë së Veriut jashtë proceseve euro-integruese, në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë po imponon një normalitet të ri të sigurisë në Evropë, do të thotë se Rusisë i lihet një katalizator i përhershëm i krizave në rajon”.

Ndaj, fjala e unionit deri në këtë çast vlen.

Ndarje – të paktën deri tani – nuk duket se do të ketë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore