Lajme

Ndalimi i udhëtarëve, Gërvalla: Vuçiç filloi t’i jetësojë kërcënimet, kanë kontrolluar nëse ka pjesëtarë të UÇK-së


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se me ndalimin e autobusëve dhe udhëtarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij që i ka bërë kohëve të fundit në rast të votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këto komente, Gërvalla i bëri në një konferencë për media, ku edhe njoftoi se qytetarët e ndaluar u janë nënshtruar një “bisede informative”, dhe se të njëjtit janë kontrolluar nëse kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Një veprim i tillë bazohet në ngjarjet e djeshme [votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë]. Jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të Vuçiç-it gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe partnerët dhe mbështetësit tanë që vota pozitive në KiE do të ketë pasoja. Për shkak se dje nuk eci as presioni as propaganda në atë seancë, Vuçiç ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij”, tha fillimisht Gërvalla.

“Në këtë kontekst e shoh ndalimin e qytetarëve… dhe sidomos ndalimin e shumë zyrtarëve të policisë. S’do të ndalem në shifra sepse duhet t’i shohim me kujdes para se të iu jap shifra dhe të dhëna”, shtoi.

Kryediplomatja theksoi se janë të njoftuar se janë shkelur masivisht të drejtat e qytetarëve gjatë këtyre ndalimeve.

“Një numër madh i tyre i është nënshtruar edhe atyre që ne jemi mësuar t’i quajmë biseda informative. Shumë prej këtyre marrjeve në pyetje kanë pasur si qëllim që të flitet për vitin 1999, të flitet për anëtarë të UÇK-së dhe të identifikohet mos ka disa të tillë në mesin e udhëtarëve tanë”, potencoi ajo ndër të tjera.

Ajo theksoi se një pjesë e qytetarëve që janë mbajtur në kufirin e Serbisë janë liruar, derisa tha se nuk mund të jap informacione nëse janë të liruar të gjithë qytetarët, pasi që këtë do ta bëjë kur të ketë informacione të plota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore