Shqipëria

Ndahet nga jeta poeti Agim Doçi, pasi pësoi hemorragji cerebrale


Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare poeti i njohur i letrave shqipe, Agim Doçi, pas komplikimeve që kaloi si pasojë e një hemorragjie cerebrale që pësoi ditë më parë.

Gjendja e Doçit kishte qenë kritike dhe ai nuk ka mundur t’i mbijetojë kësaj goditjeje, pavarësisht se ka marrë trajtim të specializuar në Shërbimin Neurovaskular në QSUT.

Lajmin për këtë humbje të letrave shqipe e ka dhënë artistja e njohur Myfarete Laze, përmes një publikimi në media sociale.

Doçi u referua nga Spitali Bashkiak i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja dhe u soll drejt QSUT me autoambulancë, ku u prit nga stafi mjekësor, por pa mundur të bëhej më shumë për ta mbajtur në jetë.

Doçi lindi më 9 maj 1948. Ishte një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar.

Është arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale, duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj.

Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Teksa, më pas, përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.

Është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden kënge shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore