Ndahet nga jeta ish-presidenti italian Giorgio Napolitano, komunisti i parë që u bë Kreu i Shtetit
Brixhilda Xhuraj
22.09.2023 20:11Giorgio Napolitano, ish-presidenti i Italisë ka ndërruar jetë këtë të premte të 22 shtatorit në moshën 98-vjeçare.
Ish-kreu i shtetit prej disa kohësh kishte probleme shëndetësore, të lidhura edhe me moshën.
Në vitin 2018 ai u shtrua në spitalin e San Camillo dhe iu nënshtrua një operacioni në aortë.
Në maj të vitit të kaluar ai u shtrua sërish, këtë herë në spitalin e Spallanzanit, për një operacion abdominal.
Ai la pas gruan e tij, Clio Maria Bittoni dhe dy djemtë e tij Giovanni dhe Giulio.
Napolitano ishte presidenti i parë i Republikës i zgjedhur dy herë, në vitin 2006 dhe më pas në 2013 për dy vjet.
Në Parlament që nga viti 1953, ai ishte një nga drejtuesit e fundit të gardës së vjetër të Partisë Komuniste ende gjallë, së bashku me Achille Occhetto dhe Aldo Tortorella.
Ai ishte ndër të paktët që luajti një rol të madh në Republikën e Parë dhe të Dytë.
Në vitet 1980, pas vdekjes së Giorgio Amendola, ai u bë kreu i melioristëve në PCI, rryma e reformistëve të partisë.
Reformizmi, në të majtën e asaj kohe, konsiderohej thuajse një fjalë e keqe.
Reformistët – Napolitano, Macaluso, Iotti, Lama, Chiaromonte, Bufalini – ishin ata që dialoguan me PSI-në, me “të urryerin” Craxi.
Ai ishte një lider i lindur. Ndër të paktët që flisnin anglisht.
Por gjithsesi lideri i një pakice që shikohej me dyshim, dhe veçanërisht mes besnikëve të Enrico Berlinguerit dhe pasuesve të rinj të utopizmit të Ingraos.
Komunist kundër dëshirës së të atit
Për t’u bërë komunist, në Napolin e vitit 1944, Napolitano u nda nga babai i tij, një avokat liberal.
Ishte një kthim i dyfishtë. Ideologjik, por edhe njerëzor.
Keqkuptimit për zgjedhjen politike iu shtua edhe zhgënjimi për mungesën e zgjedhjes për të ndjekur hapat e tij në profesion.
Në një intervistë dhënë historianit Eric Hobsbawm në vitin 1975, ai e përshkroi anëtarësimin e tij në Partinë Komuniste kështu: Napoli ishte qyteti në të cilin u bashkuan të gjithë elementët e shpërbërjes dhe prapambetjes së jugut.
Takimi me Giorgio Amendola, një figurë kyçe e antifashizmit dhe partizan, ishte vendimtar.
Amendola ishte lideri i PCI-së së krahut të djathtë.
“Energji e pastër”, tha për të kreu i ardhshëm i shtetit.
Megjithatë, ata nuk mund të ishin më të ndryshëm antropologjikisht.
Në PCI ai ishte gjithmonë një pakicë
Napolitano, djali nga via Chiaia që frekuentonte “Raffaele La Capria”, “Francesco Rosi”, “Giuseppe Patroni Griffi”, “Antonio Ghirelli”, zgjodhi partinë që dëshiron të shpengojë klasën punëtore dhe që predikon revolucionin, por duke qëndruar mirë brenda sistemit demokratik.
Në vitin 1978, në ditët e rrëmbimit të Moros, ai u bë lideri i parë komunist që u prit në SHBA.
Ai mishëron figurën e një presidenti të vetëdijshëm për identitetin e tij politik: ai ndërhyn, korrigjon, mbikëqyr, shqyrton.
Ndërhyrja e tij e fundit parlamentare daton në 23 mars 2018, kur, si dekan i Palazzo Madama, ai kryesoi seancën inauguruese të legjislaturës së tetëmbëdhjetë.
Në të njëjtën kohë i kujdesshëm dhe i guximshëm, i matur dhe i vendosur.
Ai ishte një zotëri që jetoi 70 vjet të jetës publike të vendit me stil të pamohueshëm republikan.