Përballje

NBA/ Nuk ka këndellje për Warriors, Bulls dhe Suns marrin sukseset e radhës


Orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës (me kohën tonë lokale) u zhvilluan edhe gjashtë takime në ligën amerikane të basketbollit, NBA.

Nuk ka këndellje për Golden State Warriors, të cilët pësuan humbjen e tretë brenda pesë ndeshjeve të fundit, teksa u mposhtën në udhëtim te Memphis Grizzlies me rezultat 116:108.

Ndërsa Grizzlies po kalojnë në formë fantastike, për të cilët ishte fitorja e 10-të radhazi.

Ylli i Warriors, Stephen Curry, arriti “triple-duble” në këtë takim me 27 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime, por nuk mundi ta shpëtojë ekipin e tij nga humbja.

Ndërsa për vendasit u dallua Ja Morant me 29 pikë, pesë kërcime dhe tetë asistime.

Me këtë fitore, Grizzlies gjenden në vendin e katërt të Konferencës Perëndimore, ndërsa Warriors mbeten në pozitën e dytë.

Po vazhdon me formë të mirë edhe Chicago Bulls, të cilët u rikthyen te fitorja pas humbjes në ndeshjen e fundit, teksa mposhtën Detroit Pistons me rezultat të thellë 133:87.

Kjo ishte fitorja e 10-të e Bulls brenda 11 ndeshjeve të fundit, derisa ata vazhdojnë t’i prijnë tabelës në Konferecën Lindore.

DeMar DeRozan ishte më i miri në parket, i cili realizoi “duble-duble”, derisa lojë të mirë për vendasit shfaqi edhe Nikola Vucevic me 22 pikë e tetë kërcime.

Edhe Phoenix Suns u rikthye te fitorja, të cilët mposhtën në udhëtim Toronto Raptors me rezultat të ngushtë 95:99.

Me këtë sukses, Suns vazhdojnë t’i prijnë Konferencës Perëndimore, të cilët kanë 31 fitore dhe nëntë humbje, ndërsa Raptors gjenden në vendin e tetë të Konferencës Lindore.

Në ndeshjet tjera, Los Angeles Clippers triumfoi përballë Denver Nuggets me rezultat 87:85, Washington Wizards mposhti në shtëpi Oklahoma City-n me shifrat 122:118 dhe New Orleans Pelicans fitoi ndaj Minnesota Timberwolves me shifrat 128:125.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore