Lajme

NATO s’do i njohë kurrë aneksimet ruse, por Ukrainës i duhen urgjentisht armë të tjera


Nuk ka asnjë dyshim se aleanca e Atlantikut të Veriut NATO, nuk do t’i njohë aneksimet ruse në Ukrainë, pas referendumeve fiktive të zhvilluara në katër rajone: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Por, Kievit, i duhet armatime të tjera sa më shpejt të jetë e mundur.

Këto janë përfundimet pas një ministeriali të NATO-s, ku i pranishëm ka qenë edhe kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba.

Ky i fundit, ka qenë pikërisht ai, i cili ka theksuar nevojën për përforcime në armatime.

“Sot, kam vetëm tre fjalë për të thënë. Më shpejt, më shpejt, më shpejt”, iu referua ai kërkesës për ndihma me armatime nga ana e organizatës ushtarake.

Gjithashtu, edhe linjat e prodhimit të armëve, duhet ta përshpejtojnë punën, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas.

Diskutimi, është qendërzuar pikërisht në këtë drejtim, në fjalët e tij. Pra, se si gjërat të përshpejtohen.

Nga ana tjetër, përmes një komunikate për shtyp, vetë NATO-ja ka theksuar se sulmet ruse po privojnë qytetarët ukrainas nga një jetesë e qetë, duke goditur infrastrukturën, përfshi atë energjetike.

Për shkak të kësaj të fundit, rreth 6 milionë banorë në gjithë Ukrainën, janë në terr, pa mundësi ngrohje.

Teksa, premtimi për furnizime të mëtejshme me armë, sidomos me sisteme të mbrojtjes ajrore, është aty, i deklaruar, por siç ka theksuar Kuleba, me nevojë të madhe për t’u përshpejtuara.

Ndër të tjera, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur faktin se aleanca ushtarake nuk do të rreshtë asnjëherë së mbështeturi Ukrainën, për sa kohë këtyre të fundit do t’u nevojitet.

Mbi të gjitha, nuk duhet harruar fakti se Vladimir Putini, nuk duhet lejuar të fitojë në asnjë mënyrë.

“Do të ishte një tragjedi për Ukrainën nëse ai fiton, por do të ishte edhe një akt, i cili do ta bënte botën më të pasigurt, më të rrezikshme, më të cenueshme”, përmendi Stoltenberg.

Në përmbyllje, të dy palët janë dakordësuar se një bashkëpunim më i fortë e i vijueshëm nevojitet, për të realizuar misionin e një Ukraine të lirë dhe të një Putini të dështuar në misionin e pushtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore