Kosova

NATO pret llogaridhënie të plotë nga Serbia për sulmuesit në Banjskë, krahas atyre që sulmuan ushtarët e KFOR-it në Zveçan


Boris Ruge

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka thënë se pret nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për sulmet e majit dhe shtatorit të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë kështu pas një takimi që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 21 gusht, në Beograd. Ruge, i cili paraprakisht ka qëndruar në Prishtinë, ka përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), dhe sulmin e armatosur të paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

“Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO llogaritë në Serbinë që të ndihmojë të sigurojë përgjegjësi të plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge, vizita e të cilit vjen në mes të paralajmërimeve për përkeqësim të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht sa i përket veriut.

Zyrtari i lartë i NATO-s është pritur të martën edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve, posaçërisht në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në veri, përfshirë inciativën për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore