Lajme

NATO nuk do ndryshojë mbështetjen për Ukrainën me fillimin e dimrit


Kryetari i Komitetit Ushtarak të Aleancës së Atlantikut të Veriut, admirali Rob Bauer, siguroi të shtunën se NATO nuk do të ndryshojë mbështetjen e saj për Ukrainën, kundër së cilës Rusia po bën një luftë në shkallë të gjerë, me fillimin e dimrit.

Ushtaraku i lartë e tha këtë gjatë konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s.

“Guximi i jashtëzakonshëm i forcave të armatosura të Ukrainës dhe popullit ukrainas do të mbizotërojë përsëri mbi kundërshtarin. Aleatët e NATO-s do t’i mbështesin ata për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Dimri po afron, por mbështetja jonë do të mbetet e pathyeshme”, siguroi ai.

Sipas kreut të Komitetit Ushtarak të Aleancës, lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës shënoi fillimin e një epoke të re të sigurisë globale dhe është më e madhe se vetë Ukraina.

“I gjithë rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është nën sulm. Kjo, së bashku me grupet terroriste që përdorin luftën asimetrike dhe krijojnë kriza globale dhe lokale, si dhe Kina duke ndërtuar masivisht përpjekje ushtarake dhe duke iu drejtuar retorikës së rrezikshme, të gjitha peshojnë mbi ne”, tha Bauer.

Ai theksoi se NATO-ja përballet me “detyrën e shenjtë të mbrojtjes së miliarda qytetarëve që jetojnë në territorin e saj, duke planifikuar dhe menduar gjithmonë përpara”.

“Dhe ne jemi gati të presim të papriturën”, theksoi admirali.

Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s filloi të premten në Talin të Estonisë.

Në të marrin pjesë komandantët e forcave të armatosura të Aleatëve, të cilët diskutojnë çështje të zhvillimit strategjik të Aleancës.

Për herë të parë në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të Finlandës dhe Suedisë.

Më herët, presidenti estonez Alar Karis, në hapjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s, bëri thirrje për frenim të vazhdueshëm të Rusisë në aspektin ekonomik, politik dhe ushtarak, por vuri në dukje se kërcënimi që paraqet ajo nuk duhet nënvlerësuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore