Lajme

NATO nuk do e njohë kurrë referendumin rus në Ukrainë


Me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp, vendet anëtare të aleancës së Atlantikut të Veriut, kanë dënuar njëzëri agresionin rus në Ukrainë, duke përforcuar se nuk do ta njohin asnjëherë referendumin që Rusia do të ndërmarrë në zonat e uzurpruara në lindje të Ukrainës.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ravijëzoi përpjekjen që aleatët po bëjnë për të dënuar sulmet e njëpasnjëshme ruse në Ukrainë.

Në deklaratën madhore ndërkohë, katër pika, janë të renditura mbi çështjen.

E para, shkon pikërisht për referendumet që Rusia kërkon të mbajë, për t’i bërë rajonet ukrainase, në të cilat kanë mësyrë, pjesë të Federatës Ruse.

Kjo, sipas qëndrimit zyrtar nga NATO që prej muajit mars, pak ditë pas fillimit të agresionit rus, është një sjellje e papranueshme e një shteti si Rusia, karshi fqinjëve ukrainas.

Po ashtu, në qëndrimin zyrtar përmendet fakti se, nëse në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson mbahen referendume ruse, ato janë të papërputhshme dhe në shkelje të plotë me kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në pikën e dytë, flitet për mobilizimin e pjesshëm rus, i cili përshkruhet si një hap i mëtejshëm për të përshkallëzuar konfliktin.

Mbi këtë premisë, Rusia mbahet nga Perëndimi si përgjegjës i vetëm i gjithë asaj çfarë po ndodh në Ukrainë prej 24 shkurtit 2022, kur mësymja moskovitë nisi.

Mbështetja e pakundërshtueshme ndaj pavarësisë dhe sovranitetit e integritetit territorial të Ukrainës është i pamungueshëm, duke përforcuar se ndërkombëtarisht, Ukraina njihet me kufijtë që ka në hartë dhe jo në bazë të asaj çfarë rusët pretendojnë.

Megjithatë, ndërhyrje nga NATO nuk do të ketë, siç është bërë me dije edhe më parë.

Por, organizata është qartësisht e pozicionuar pro paqes në gjithë rajonin dhe më tej në botë, ndaj qëndrimi do të jetë i bashkuar dhe aktiv në dënimin e çdo përpjekjeje për të zhbërë sigurinë shtetërore të vendeve aleate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore