Lajme

NATO: Ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise


Mircea Geoana

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, të mërkurën ka zhvilluar një bisedë telefonike me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Geoana përmes një cicërime në rrjetin social Twitter njoftoi se mirëpresin hapat e mëtejshëm të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve, ndërsa gjatë bisedës me diplomatin sllovak tha se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise.

“NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e vazhdueeshme diplomatike me Beogradinë dhe Prishtinën, nën udhëheqjen e BE-së. Është koha për të dyja palët që të bëjnë kompromise. Angazhimi ynë për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe KFOR-in, është i fortë”, ka shkruar Geoana.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropian-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Emisari Speical i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë ditëve të fundit takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, për këtë arsye edhe emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore