Lajme

NATO do të hyjë në luftë kundër Rusisë, sipas historianit amerikan


NATO do të detyrohet të hyjë në luftë kundër Rusisë, pasi presidenti rus Vladimir Putin nuk po i lë Aleancës rrugëdalje tjetër me veprimet e tij agresive.

Kështu deklaroi historiani amerikan me origjinë ruse Yuri Felshtinsky, gjatë një interviste me gazetaren ukrainase Alesya Batsman.

“Unë shoh një zhvillim mjaft të shpejtë të ngjarjeve, të cilat duhet të çojnë në hyrjen e NATO-s në këtë luftë si aleancë, jo vetëm si shtete individuale që ndihmojnë Ukrainën me armë, atje, me para”, deklaroi fillimisht historiani.

Sipas tij, vendimi i ardhshëm i NATO-s për të hyrë në luftë do të diktohet pikërisht nga veprimet e Putin-it.

“Jo sepse NATO dëshiron të hyjë në këtë luftë. NATO dëshiron që kjo luftë në asnjë rast të mos zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës”, shpjegoi Felshtinsky.

Ai parashikon gjithashtu se Putin-i mund të nisë një luftë kundër Moldavisë para përfundimit të agresionit në Ukrainë.

“Unë mendoj se Putin-i do të fillojë armiqësitë kundër Moldavisë edhe para se të përfundojë – nga këndvështrimi i tij – ‘operacionin ushtarak’ në Ukrainë, sepse ai kurrë nuk do të përfundojë me ju atje. Ai nuk mund ta marrë Ukrainën, ai nuk ka forcë për të”, u shpreh më tej historiani.

Më herët, presidenti amerikan dhe udhëheqja e NATO-s kanë deklaruar vazhdimisht se Aleanca nuk ka ndërmend të marrë pjesë në luftën kundër Rusisë dhe të dërgojë trupat e saj në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore