Sport

Nasser Al-Khelaifi i përgjigjet akuzave mbi fair-play financiar


Presidenti i Klubit të PSG-s, Nasser Al-Khelaifi, ka folur mbi fair-play financiar gjatë prezantimit të Lionel Messi-t, paraditen e të mërkurës.

PSG-ja është akuzuar nga shumë klube dhe media sportive se po kryen transferime të shumta dhe me paga të larta, por në krahun tjetër nuk ka asnjë reagim të UEFA mbi një shkelje të mundshme të fair-play financiar.

Rregulli i fair-play është që klubet duhet të kenë të ardhura në raport të drejtë mes shitjeve dhe transferimeve, në rast të kundërt klubeve u bllokohet merkato.

Në letër, përsa i përketë transferimeve të deritanishme, PSG-ja ka shpenzuar vetëm 60 milionë euro për Achraf Hakimi-n, ndërsa ka afruar me kosto zero, Georginio Wijnaldum-in, Gianluigi Donnarumma-n, Sergio Ramos-in dhe Lionel Messi-n.

Gjatë prezantimit te Messi-t, Al-Khelaifi përfitoi nga një pyetje e gazetarëve për t’u përgjigjur mbi këtë çështje që ditët e fundit është bërë gjithnjë e më e nxehtë.

“Sa i përket fair-play financiar, unë isha duke pritur për këtë pyetje. Ne kemi ndjekur të gjitha rregulloret që nga dita e parë”, tha Presidenti i PSG-s.

“Ne i shikojmë me këshilltarët tanë financiarë dhe ligjorë para se të bëjmë ndonjë gjë dhe shohim nëse mund ta nënshkruajmë”.

“Siç mund ta dini, ajo që ai do të sjellë në klub do të jetë shumë e madhe. Nuk ka vetëm negative, por shumë pozitive, komerciale, në rrjetet sociale … “.

“Klubi do të rritet në të gjitha drejtimet falë Lionel Messi-t. Do të tronditeni nga numrat. Shpresoj që ai të mos kërkojë një rrogë të re (qesh). Ne gjithmonë do të ndjekim rregullat e fair -play financiar”, përfundoi kështu prononcimin Al-Khelaifi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore