Gjykata Speciale

Nasim Haradinaj s’lirohet nga burgu – vendimi merret pas shqyrtimit të raportit për sjelljen e tij


Nasim Haradinaj.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj s’është liruar me kusht nga burgu në Hagë, ashtu siç u morë vendim për ish-kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku thuhet se vendimi do të merret pasi të shqyrtohet raporti në lidhje me sjelljen e tij gjatë mbajtjes në objektin e paraburgimit.

“Megjithatë, presidenti vuri në dukje se z. Haradinaj ka të dhëna disiplinore në Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit (DMU). Prandaj, presidenti konsideroi se përderisa zoti Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka vend për përmirësim”.

“Rrjedhimisht, Presidenti urdhëroi Sekretarin që të dorëzojë një raport mbi sjelljen e ardhshme të z. Haradinaj në DMU brenda një periudhe të caktuar kohore, si pjesë e vlerësimit nëse do të ndryshojë dënimin e tij”, thuhet në komunikatën e Dhomavetë Specializuara.

Gjykata Speciale.

Më 12 tetor 2023, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova,  ka konfirmuar lirimin e ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Përmes një përgjigje për Albanian Post nga Specialja kanë thënë se për lirimin e tij të përkohshëm janë marrë parasysh disa faktorë që kanë peshuar në favor të Gucatit.

“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat z. Gucati u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij”.

“Vlen të theksohet, se Kryetarja konstatoi se z. Gucatit pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës. Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së z. Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e tij”.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore