Lajme

Nasim Haradinaj: Për 16 muaj në paraburgim nuk jam intervistuar asnjëherë nga ZPS


Ish-Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradina

Ish-Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradina nga Haga përmes një deklarate, ka bërë të ditur se asnjëherë nuk është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që prej 16 muajsh sa është në paraburgim.

Deklarata e Haradinajt është e gjatë dhe se si e tillë ajo lidhet me të në cilësinë e dëshmitarit për rastin e publikimit të dosjeve që kishin arritur në OVL-UÇK, e shpërndarja e të cilave më pas u bë arsye për arrestimin e tij dhe të Hysni Gucatit.

Haradinaj i ka bërë thirrje ZPS-së që të hetojë, 460 masakrat e kryera në Kosovë ndaj shqiptarëve nga ana e forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë viteve 1998-1999.

Nasim Haradinaj

“Kam bërë thirrje publike që ZPS të hetojë 460 masakrat e kryera nga serbët. Viktimat ishin të moshave të ndryshme nga foshnja te pleq”.

“I përmendi këto fakte sepse thjesht nuk ishte e drejtë. Krimet serbe nuk ndiqen nga ZPS-ja e cila nuk ka ndërmend të hetoje aty ku janë te implikuar serbët. Publiku ka të drejtë ta dijë këtë”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Ai thotë se i ka përmendur masakrat e kryera nga ana e serbëve për të tërhequr vëmendjen e Dhomave të Specializuara (DHS).

“Prandaj i kam përmendur me qindra herë këto krime, sepse dukej qartë që DHS nuk do të bënin asgjë. Doja që publiku ta dinte këtë, pasi një informacion i tillë është në interes të publikut”.

“Veç kësaj doja që opinionit t’i sqarohej dhe të kuptojë se DHS janë puro monoetnike dhe selektive”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Tutje, ish-Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, në deklaratë thotë se ZPS-ja ka bashkëpunuar me vet kriminelët e luftës. Ai thotë se kanë hapur hetimet e tyre bazuar në të dhënat e siç i quan ai, ekzekutorëve dhe në bazë të hetimeve paraprakisht ishin udhëhequr nga kryeprokurori serb, Vladimi Vukçeviç.

Në deklaratën e Nasim Haradinajt ka edhe pjesë të redaktuara nga ana e DHS.

“Pas zbulimit të dokumenteve të rrjedhura të ZPS, shqetësimet e mia arsyetoheshin nga fakti që ZPS kanë bashkëpunuar me vet kriminelë lufte, kanë hapur hetimet e tyre bazuar në te dhënat e po këtyre ekzekutorëve.”

“Dhe në bazë të hetimeve që paraprakisht ishin udhëhequr nga [REDAKTUAR] dhe kryeprokurori serb Vladimir Vukçeviç – diçka që doli në shesh dhe u konfirmua, edhe nga dosjet dhe dokumentet e rrjedhura, nëse vërtetohen, nga vet këto dhoma”, është shprehur Haradinaj në deklaratën e tij.

Prokurori i ZPS-së

Aktakuza fillestare kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit ishte konfirmuar më 11 dhjetor 2020, ndërsa publike u bë më 14 dhjetor 2020.

Më 23 qershor 2021, Kolegji i Apelit kishte miratuar, pjesërisht, ankesat e Gucati dhe Haradinaj në lidhje me defektet e pretenduara në formë të aktakuzës andaj urdhëroi që një version i korrigjuar i aktakuzës të ngritët nga Zyra e Prokurorit Special.

Aktakuza e korrigjuar është ngritur më 5 korrik 2021.

Sipas aktakuzës thuhet se së paku nga 7 deri më 25 shtator të vitit 2020, me anë të tre konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes përhapjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj kishin zbulua, pa autorizim, informacione të mbrojtura sipas ligjit të Dhomave të Specializuara, përfshirë detajet identifikuese të dëshmitarëve të caktuar (të mundshëm).

Arrestimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nga zyrtarët e EULEX dhe përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale

Aktakuza gjithashtu thotë se Gucati e Haradinaj kanë bërë akuza dhe vërejtje nënçmuese kundër dëshmitarëve (potencialë) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të minuar Dhomat e Specializuara.

Ndërsa në zyrat e OVL-së disa herë një person i pa identifikuar kishte dërguar pako të materialeve të cilat kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale, ndërsa Gucati dhe Haradinaj i kishin bërë thirrje publike organeve të shkojnë dhe ti marrin ato dokumente.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuan në Prishtinë më 25 shtator të vitit 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar para gjyqtarit të vetëm, Nicolas Guillou, u mbajtën respektivisht më 29 shtator 2020 dhe 1 tetor 2020.

Paraqitjet fillestare të Gucati dhe Haradinaj u zhvilluan më 18 dhjetor 2020 para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gucati u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa Haradinaj zgjodhi të paraqiste deklaratën e tij brenda 30 ditëve. Gjatë paraqitjes së tij të mëtejshme më 8 janar 2021, Haradinaj nuk arriti të bëjë një deklaratë. Në përputhje me rrethanat, në përputhje me Rregullën 92 (2) (f) të Rregullores, Gjyqtari i Procedurës Paraprake paraqiti një deklaratë të pafajësisë në emër të tij.

Më 9 Prill 2021, Prokurori Special paraqiti, si konfidencial, përmbledhjen e tij paraprake në këtë rast.

Më 16 korrik 2021, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ia përcolli dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore