Shqipëria

Nano takon drejtorin e Byrosë së sigurisë maqedonase: Në fokus, thellimi i marrëdhënieve dypalëshe


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka pritur gjatë ditës sotme në takim homologun e Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut Sasho Tasevski.

Gjatë takimit zyrtar ndërmjet dy delegacioneve u diskutua për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit.

“Bashkëpunimi ynë ka qenë i ngushtë, si për çështje operacionale ashtu edhe për elemente të tjera të luftës së përbashkët kundër krimit, andaj ky takim veçse do ta forcojë më tej atë. Në misionin tonë në krye të policive të të dy shteteve, ne ndajmë të njëjtat aspirata dhe qëllime, si lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimeve të rënda, terrorizmit dhe pastrimit të parave, që janë indikatorë me shumë rëndësi për sigurinë në vend”, tha Nano.

Ndër të tjera ai shtoi se Policia e Shtetit shqiptar ka qenë dhe mbetet prioritet gjithashtu lufta ndaj trafikimit të lëndëve narkotike.

“Për këtë qëllim ne kemi përqendruar dhe forcuar më tej, kapacitetet tona logjistike dhe burimet njerëzore në Portin e Durrësit, që është edhe vendi ku kemi goditur më shumë tentativa të trafikimit të lëndëve narkotike, të ardhura nga Amerika Latine”, vazhdoi ai.

Nga ana tjetër, Tasevski theksoi se vizita e tij tregon qartë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy policive të shteteve dhe vullnetin për të vijuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh në funksion të çështjeve operacionale.

“Kjo klimë bashkëpunimi është një element kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në te dy shtetet tona dhe gjithashtu na motivon për të punuar së bashku, edhe më tej, për çështje si lufta kundër krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare, të cilat janë prioritetet tona të përbashkëta”.

Delegacioni i Lartë i Policisë së Maqedonisë së Veriut do të zhvillojë vizitë në Repartin Special RENEA dhe në Portin e Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore