Shqipëria

Nano pret homologun e tij italian: Bashkëpunim më i ngushtë për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin, në fokus


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të enjten e 7 prillit ka mirëpritur homologun e tij,  italian Lamberto Giannini, ku në fokus ishte bashkëpunimi edhe më i ngushtë mes dy vendeve fqinje.

I pranishëm në takim ishte dhe ambasadori italian në Shqipëri SH.T.Z. Fabrizio Bucci dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit të të dyja vendeve.

Sakaq kjo vizitë u realizua në kuadër të Deklaratës së Mirëkuptimit të nënshkruar mes dy palëve, për ngritjen e Tryezave të Përbashkëta Teknike mes Drejtuesve të Lartë të policive të të dy vendeve.

Nano dhe Giannini vlerësuan marrëdhëniet mjaft të mira mes dy policive. Gjatë Tryezës u dakordësuan propozimet në interes të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, me qëllim rritjen akoma më shumë të operacioneve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit, monitorimit ajror që ka si qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, të goditjes së kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta etj.

Whatsapp Image 2022 04 07 At 4.00.09 Pm

Giannini gjatë fjalës së tij u shpreh se, “gjatë këtij takimi, ne patëm rastin të diskutojmë për çështje nga më të ndryshmet, që janë me interes të përbashkët dhe që lidhen me luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, luftën ndaj terrorizmit, ndaj organizatave kriminale, gjithashtu edhe me luftën ndaj fenomeneve të radikalizimit”.

“Gjithsesi, ne kemi arritur gjithashtu të përvijojmë edhe strategji konkrete shumë të frytshme për të dy vendet.

Në përmbyllje të fjalës së tij Giannini shprehu falënderimin për Nanon dhe ambasadorin italian, “i cili është gjithmonë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë dhe në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë drejtim”.

Nga ana tjetër Nano në fjalën e tij tha se u diskutua për disa çështje me interes të përbashkët – lidhur me krimin e organizuar, krimet e rënda, trafikun e paligjshëm dhe kontrabandimin e emigrantëve, po kështu edhe disa çështje që lidhen me terrorizmin dhe radikalizmin.

“Takime të tilla janë të domosdoshme dhe janë shumë të dobishme, jo vetëm në nivelin drejtues të të dy policive, por edhe në nivelin teknik, duke shmangur kështu burokracitë dhe duke lejuar një bashkëveprim dhe bashkërendim të veprimeve dhe shkëmbim të informacionit dhe hetimeve tona të përbashkëta kundër aktiviteteve të paligjshme”, u shpreh Nano. D

Në përfundim të fjalës së tij Nano nuk i kurseu falënderimet për Drejtorin e Përgjithshëm italian dhe për prezencën e tij në vendin tonë.

”Dua ta siguroj për vendosmërinë që Policia shqiptare ka për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, e përmbylli Nano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore