Kosova

Nagavci: Profesori Beqaj dha kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas vdekjes në moshën 65 vjeçare të profesorit të shkencave politike, Behlul Beqajt.

“Profesori Beqaj dha kontribut të madh në arsimimin e gjeneratave të reja, duke u bërë një nga figurat e rëndësishme të arsimit universitar që me përkushtim e kreu këtë mision fisnik dhe mbeti në kujtesën tonë përgjithmonë”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se vepra e profesorit Beqaj edhe në publicistikë, hulumtime shkencore dhe analiza politike, do t’iu mbetet gjeneratave si një nga resurset e vlefshme, ashtu sikur edhe kontributi në fushën e artit dhe sportit.

“Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Beqaj, miqve, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe të gjithë atyre që e njohën”.

Vdiq Behlul Beqaj, profesor universitar dhe politolog

Ndryshe, Beqaj ishte profesor në kolegjin UBD, ndërsa deri në vitin 2006 ishte kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Në muajin prill të këtij viti ishte promovuar libri i të ndjerit me titull “Autoritarizmi dhe Poltronizmi si rrënues të demokracisë”.

Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.

Ka diplomuar, magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit publik të Maqedonisë.

Është autor i dhjetëra punimeve publicistike -shkencore, pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore