Kosova

Nagavci: Në Projektligjin për paga janë trajtuar të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci ka përgëzuar shkollat të cilat kanë filluar mësimin dhe mësimdhënësit.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se janë të përkushtuar që të adresojnë secilën vështirësi me të cilën ballafaqohen.

“Edhe një herë përgëzoj shkollat dhe mësimdhënësit që kanë filluar mësimin dhe kërkoj nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare”, ka shkruar ajo.

Ministrja e Arsimit theksoi se projektligji për paga i cili ka dalë në debat publik ka marrë për bazë të gjitha kërkesat.

Foto nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“I siguroj mësimdhënësit se do të adresohet vazhdueshëm çdo shqetësim i tyre dhe bashkërisht të evitojmë të gjitha vështirësitë për të arritur kështu që të kemi mirëqenie të mësimdhënësve dhe ngritje të cilësisë në arsim”, ka shkruar ndër të tjera në rrjetin social në Facebook, ministrja Nagavci.

Sipas saj, bashkëbisedimi me mësimdhënës është i fokusuar në politikat e reja.

“E kemi fokusuar bashkëbisedimin me mësimdhënësit te politikat e reja në mbështetje të tyre, në mënyrë që të tejkalojmë secilën vështirësi së bashku, sikur që është tejkaluar ajo e mësimdhënësve me probleme serioze shëndetësore dhe nuk ka më asnjë mësimdhënës që i duhet të dalë në punë sepse i nevojitet paga për të blerë ilaçe”.

“Vetëm 17 mësimdhënës janë duke tentuar të punojnë dhe ata dolën që janë të afërt me pushtetin”, kishte deklaruar kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj për Albanian Post.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore