Lajme

Nagavci: Mësimi fillon me 1 shtator me orar të rregullt dhe pjesëmarrje fizike


Arbërie Nagavci - Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se e ka nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/2022 dhe mësimi pritet të fillojë që nga dita e parë e muajit shtator të këtij viti.

Lajmin për fillimin e procesit mësimor, Nagavci, e ka bërë të ditur përmes një statusi të publikuar në llogarinë e saj të Facebook-ut, ndërsa ka shtuar se mësimi do të zhvillohet me orar të rregullt dhe me pjesëmarrje fizike.

“Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, kam nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/2022”.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore”, ka shkuar Nagavci.

Mes tjerash, sipas saj, bazuar në disa studime, mbyllja e shkollave ka ndikuar negativisht tek fëmijët dhe mësimdhënësit.

“Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha”.

“Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë”, ka shtuar ajo.

Ministrja e MASHT-it, është zotuar se i gjithë procesi i zhvillimit të mësimit në mënyrë fizike do të realizohet në përputhje me rekomandimet dhe rregullat kundër pandemisë me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore