Lajme

Nagavci: Ka përfunduar pagesa për grupin e parë, përfitojnë mbi 80 mijë prindër


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se ka përfunduar procedura e pagesës për grupin e parë të aplikueseve.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se janë mbi 80 mijë përfitues.

“Sot kemi përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues”.

“Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës”.

Nagavci, ka potencuar se mbi 70 raste të aplikimit kanë qenë me gabime.

“Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme”.

“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore”.

Teksa ka thënë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.

Aplikimi për librat po bëhet përmes platformës e-Kosova, mirëpo në ditën kur u lansua kjo platformë, për disa orë ishte e bllokuar, me të njejtën ka pasur probleme vazhdimisht.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën në Kosovë pritet të jetë rreth 213 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore