Lajme

Naftëtarët ultimatum Qeverisë: Uleni akcizën ose i mbyllim pompat e derivateve


Ilustrim

Shoqata e Naftëtarëve në Kosovë ka dalë kundër vendimit të paralajmëruar të Ministrisë së Industrisë, për rregullimin e çmimeve të derivateve në vend, sipas së cilit parashihen kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Në një letër që kjo shoqatë ua ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të tjerë përkatës, ka kërkuar nga këta të fundit ulje të akcizës dhe TVSH-së për derivatet.

“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursa ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 cent, apo 12 cent më shumë sesa para krizës globale për litër”, thuhet në letrën e naftëtarëve.

“Qeveria, nëse me të vërtetë është interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe të BE-së nëpërmjet uljes së akcizës ose TVSH-së për produktet e Naftës”, vazhdon letra.

Shoqata, në fjalë, ka paralajmëruar edhe mbyllje të pompave të derivateve në gjithë vendin, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Ne jemi për rregullim të mirëfilltë të industrisë së naftës, por jo me vendime arbitrare që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit. Të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si 22 vitet paraprake dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Nëse kërkesa e mësipërme nuk merrte parasysh nga Qeveria atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohe si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale – Shitja me shumicë 3 % dhe Shitja me pakicë 12 % ”.

Ndryshe një ditë më parë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është duke punuar për rregullimin e çmimit të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

Sipas Ministrisë, ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për heqjen e akcizës në derivate është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti nga radhët e AAK-së, një ditë më parë kishte propozuar uljen e akcizës për pesë muajt e ardhshëm, si një masë të përhoshëm për të përballuar krizën aktuale me derivate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore