Kosova

Nafta rritet për një cent, ministria cakton çmimin tavan për 24 orët e ardhshme


Ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka caktuar çmimin tavan për shitjen e derivateve, për ditën e martë.

Bazuar në vendimin në fjalë, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.86 euro për litër, i cili është rritur për një cent krahasuar me ditën e hënë, ndërsa çmimet e benzinës dhe të gazit kanë mbetur të njëjta, 1.74, respektivisht 0.78.

Këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e së martës dhe janë valide 24 orë.

Ministria pritet të caktojë çdo ditë çmimet tavan për shitjen e derivateve bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës e miratuar me unanimitet më 22 qershor.

Modaliteti i Qeverisë së Kosovës për të zbutur rritjen enorme të çmimit të derivateve ishte kritikuar nga të gjithë.

Për njohësit e ekonomisë strategjia e qeverisë së Kosovës për të kontrolluar çmimet e naftës duke caktuar çmim tavan nuk është zgjidhje afatgjatë.

Në anën tjetër për Aleancën Kosovare të Biznese, vendimi i njëanshëm i Qeverisë ka për qëllim uljen e marzhës së fitimit të naftëtarëve dhe se sipas tyre qeveria me këtë vendim po ndërhynë në ekonominë e tregut, duke bërë shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore