Kosova

N1: Lajçak e Petkoviç për më shumë se 2 orë diskutuan mbi draft-statutin e Asociacionit


Ilustrim: Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

I pari i cili takoi të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ishte i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Takimi i kryenegociatorit serb me diplomatin sllovak në Bruksel, këtë të enjte, ka zgjatur më shumë se dy orë.

Sipas mediumit opozitar serb, N1, tema kryesore e takimit ka qenë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Paralelisht në Bruksel, sipas burimeve të N1, edhe ekspertët serbë kanë mbajtur takime për të diskutuar për Marrëveshjen për Personat e Zhdukur dhe Marrëveshjen për Energjinë.

Mediat në Serbi ndër të tjera, kanë raportuar, se Petkoviç në Bruksel ka arritur me një ekip prej 18 ekspertësh.

Ndryshe në takim me diplomatin sllovak aktualisht është zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

Drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

I njëjti është pranuar nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore