Aplikacione

Myanmar/ Refugjatët Rohingya padisin Facebook-un për gjuhën e urrejtjes


Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhjetëra refugjatë Rohingya kanë paditur platformën Facebook, duke e akuzuar se ka lejuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër tyre.

Marrë shkas prej kësaj, ata kërkojnë më shumë se 150 miliardë dollarë kompensim, duke pretenduar se platforma promovon dhunën kundër pakicës së persekutuar.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kompania akuzohet se ka lejuar që “përhapja e keqinformimeve dhe gjuhës së rrezikshme të urrejtjes të vazhdojë për vite me radhë”.

Një firmë ligjore britanike që përfaqëson disa nga refugjatët i ka shkruar një letër Facebook-ut, duke pretenduar se algoritmet e tij “kanë përforcuar gjuhën e urrejtjes kundër popullit Rohingya”.

Sipas saj, kompania nuk arriti të hiqte postimet ose të fshinte llogaritë që nxitën dhunën kundër Rohingya-ve.

Gjithashtu nuk arriti të “ndërmerrte veprimet e duhura dhe në kohë”, pavarësisht paralajmërimeve nga organizatat bamirëse dhe media.

Kurse avokatët në SHBA ngritën një ankesë ligjore kundër Facebook-ut, duke e akuzuar atë se ishte “i gatshëm të tregtonte jetën e popullit Rohingya për një depërtim më të mirë në treg në një vend të vogël në Azinë Juglindore”.

Platforma numëron më shumë se 20 milionë përdorues në Myanmar. Për shumë prej tyre, Facebook-u është mënyra kryesore ose e vetme për të marrë dhe ndarë lajmet.

Në vitin 2018, platforma pranoi se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të parandaluar nxitjen e dhunës dhe gjuhën e urrejtjes kundër Rohingya-ve.

Kjo pasoi një raport të pavarur, të porositur nga Facebook-u, që thoshte se platforma kishte krijuar një “mjedis mundësues” për përhapjen e abuzimit të të drejtave të njeriut.

Rohingya shihen si emigrantë të paligjshëm në Myanmar dhe janë diskriminuar nga qeveria dhe publiku për dekada, dallon “BBC”.

Në vitin 2017, ushtria e Myanmar-it nisi një goditje të dhunshme në shtetin Rakhine pasi militantët Rohingya kryen sulme vdekjeprurëse në postet e policisë.

Mijëra njerëz vdiqën dhe më shumë se 700 mijë u larguan në Bangladeshin fqinj. Gjithashtu ka akuza të përhapura për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasje arbitrare, përdhunime dhe djegie të tokës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore