Lajme

MV/Spasovski: Nuk është bërë asnjë marrëveshje për arratisjen e Mijalkov-it


Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Oliver Spasovski, gjatë një konferencë më 23 shkurt, deklaroi se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me askënd, për arratisjen e Ish-Shefit të Policisë Sekrete, Saso Mijalkov.

Këtë deklaratë ai e bëri pas spekulimeve të partive opozitare, të cilat e akuzonin Spasovksi-n se është përgjegjës për arratisjen e Mijallkov-it.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit. Kjo parti ka hedhur dyshimet se ka një marrëveshje midis kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev, ministrit Spasovski dhe Mijalkov-it.

Sipas Spasovski-t, MPB-ja është duke punuar dhe po heton për gjetjen dhe arrestimin e menjëhershëm të Mijalkov-it.

“Janë marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe të afërm të familjes. Janë marrë telefona, dokumentacion dhe mjete të tjera, të cilat mund të shërbejnë lidhur me zgjidhjen e çështjes”.

Gjithashtu ai paralajmëroi se të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen penalisht, pa bërë lëshime, edhe në qoftë se janë zyrtarë të lartë në jetën politike të vendit.

“MPB-ja ka vepruar sipas procedurave në përputhje me ligjin”.

Spasovski hodhi dyshimin se Mijalkov-i mund të jetë ndihmuar nga persona, të cilët kanë qeverisur më përpara.

Kujtojmë se të dielën, më 21 shkurt, u arratis ish-drejtori i Sigurisë Sekrete, Saso Mijalkov.

Gjykata Penale lëshoi urdhër-arrest me paraburgim shtëpiak për Mijalkov-in.

Në momentin kur autoritetet shkuan për t’i dorëzuar vendimin e gjykatës Mijalkov-it, ata nuk e gjetën në shtëpi.

Reagim ka pasur dhe nga presidenti dhe kryeministri i RMV-së.

Mijalkov është akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për organizimin e përgjimit të paligjshëm të rreth 20 mijë qytetarëve.

Kjo është arratisja e dytë më me zë në RMV, që nga viti 2018, kur u arratis ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore