Lajme

MV/Pendarovski: Të zbardhet ngjarja për arratisjen e Mijalkov-it


Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Stevo Pendarovski, deklaroi se kërkon nga institucionet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për gjetjen e ish-shefit të Policisë Sekrete, Saso Mijalkov.

Të hënën më 22 shkurt, ai kërkoi që të zbardhet ngjarja dhe të ndërmerren masa kundrejt përgjegjësve.

“Lufta për një shtet ligjor do të thotë që çdokush që ka gabuar para ligjit të ndëshkohet”.

Pendarovski, tha se ky veprim i hedh poshtë të gjitha përpjekjet dhe shpresat për përballjen me krimin dhe korrupsionin e lartë.

“Këto ngjarje janë të papranueshme për një vend që pret të fillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një vend i cili është duke punuar shumë në reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndërtimit të besimit në shtetin ligjor”.

Reagim ndaj kësaj ngjarje ka pasur dhe nga kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev. Ai tha se nuk ka marrëveshje politike për arratisjen e Mijalkov.

“Si pushtet ekzekutiv kemi siguruar kushte që në kohën pas regjimit është organizuar proces gjyqësor. Deri tani është paralajmëruar dënim. Pres që të ketë zgjidhje të plotë të rastit dhe pres që sa më shpejt të lokalizohet dhe të vendoset në paraburgim shtëpiak”.

Zaev si dhe Pendarovski, kërkoi një hetim të plotë nëse dikush ka qenë i përgjegjës në zbatimin e vendimit për paraburgim.

“Pres detaje për atë se çfarë ka ndodhur, ku ka qenë kur është zbatuar vendimi, pse nuk është gjetur personi. Nëse ekziston përgjegjësi, do të kërkohet përgjegjësi nga kushdo qoftë”.

Ditën e dielë, më 21 shkurt, ish-drejtorit të Sigurisë Sekrete, Sasho Mijallkov, i është humbur çdo gjurmë.

Gjykata Penale lëshoi urdhër arrest me para burgim shtëpiak. Kjo erdhi pas kërkesës së prokurorisë për çështjen “Target-Fortesa”, me të cilën po gjykohej Mijalkov. Nga gjykata pritej vendimi me datën 26 shkurt.

Gjithashtu Gjykata ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të RMV-së.

Në momentin kur autoritetet shkuan për të ia dorëzuar vendimin e gjykatës Mijalkov-it, ata nuk e kanë gjetur në shtëpi.

Mijallkov më 26 mars 2019, premtoi para Gjykatës së Apelit se nuk do të arratisej, pasi problemet nuk zgjidhen duke ikur.

Ai është akuzuar për disa vepra penale, ku rrezikon deri në 15 vite burg. Akuzat kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pranimin e dhuratave për vendime të kundërligjshme.

Gjithashtu ai akuzohet për organizimin e përgjimit të paligjshëm të rreth 20 mijë qytetarëve.

Kjo është arratisja e dytë më me zë në RMV, që nga viti 2018 kur u arratis ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore