Shqipëria

Muzeu Kombëtar organizon aktivitetin me titull “Drejt Pavarësisë”


Në kuadër të festave të nëntorit, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me gjimnazin “Qemal Stafa” organizuan aktivitetin me titull “Drejt Pavarësisë”.

Kjo vjen në nder të muajit nëntor si një ndër muajt më të bukur të vitit, me data dhe ngjarje të rëndësishme historike, ku të gjithë ne ndihemi krenarë për fitoret e shqiptarëve.

“Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash, ndaj heronjtë dhe dëshmorët shqiptarë me heroizmin e tyre u bënë pasuri kombëtare dhe meritojnë të kujtohen gjatë gjithë historisë për të tashmen dhe të ardhmen e kombit tone”, përshkruan Muzeu Kombëtar në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” kishin përgatitur dokumentarë mbi Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe mbi Çlirimin e Atdheut më 29 nëntor 1944.

Ata interpretuan vargjet për atdheun, gjuhën dhe lirinë.

Midis poezive ishin ato të Mitrush Kotelit, Naim Frashërit, Vincens Prenushit, Gjergj Fishtës dhe të Dritëro Agollit.

Në aktivitet nuk munguan edhe vallet plot vlera artistike, këngët “Dua më shumë Shqipërinë”, “Ti Shqipëri më jep nder” dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime”, kolazhet me thëniet për Atdheun, si dhe vizatimet e krijuara nga nxënësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore