Shqipëria

Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën me titull “Drejt Pavarësisë”


Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizoi sot tryezën e rrumbullakët me titull: “Drejt Pavarësisë”, në kuadër të “Nëntorit të flamurit” shpallur nga Ministria e Kulturës.

Në konferencë ishin të ftuar specialistë të fushës nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, referoi temën: “Rrëfimi i periudhave historike të Ismail Qemalit përmes objekteve të tij në Muzeun Historik Kombëtar”.

Ndër të tjera tha: “Muzeu Historik Kombëtar përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin.

Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Ismail Qemali njihet si “babai i pavarësisë”.

Ndër objektet e ekspozuara të Ismail Qemalit në MHK mund të përmendim pena e nënshkrimit të aktit të pavarësisë së Shqipërisë.

Pena është përdorur nga delegatët në Kuvendin e Vlorës të datës 28 nëntor 1912, për nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në pavijonin e Rilindjes Kombëtare është ekspozuar edhe një flamur i vogël tekstili i përdorur nga Ismail Qemali.

Disa buste të punuara nga studentë të Akademisë së Arteve në janar të vitit 2008 edhe kabineti i Qeverisë së Vlorës, i cili u miratua më 4 dhjetor 1912”.

Drejtoresha e Qendrës së Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, përshëndëti aktivitetin duke e vënë theksin tek rëndësia e këtyre aktiviteteve mbi ndërgjegjësimin për rëndësinë që ka historia, ndërgjegjia kombëtare, identiteti kombëtar dhe pavarësia.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, theksoi ajo, ka nënshkruar një marrëveshje që ka në fokus jo vetëm këto çështje dhe figurat kombëtare por edhe çdo çështje që lidhet me historinë e Shqipërisë.

Nëntori është edhe muaji më festiv në lidhje me këto tema. Më vjen mirë të konstatoj që vitet e fundit është rritur numri i studiuesve dhe shkrimtarëve që merren me çështjet e kombit në shkrimet e studimet e tyre përfundoi ajo.

Ledia Dushku nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Drejt mëvetësisë:

Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe vendimet e tij”.

Ajo ndër të tjera tha: “Sot do të flas për atmosferën e atyre viteve para vitit 1912 pasi kishte shpërthyer lufta e parë ballkanike.

Në një pyetje të një gazetari drejtuar Ismail Qemalit ai u përgjigj: Që Shqipëria të jetë një shtet i pavarur nuk është më vetëm në interesin e Shqipërisë por edhe në interesin e Europës. Ismail Qemali realizoi takime të ndryshme në lidhje me interesat kombëtare dhe mbështetja që u sigurua nga Austro-Hungaria dhe nga Italia ishte e sigurtë, e rëndësishme ka qënë që elita shqiptare të ishte e bashkuar.

Në kuvendin Kombëtar u përfaqësuan të gjitha krahinat në mënyrë të balancuar krahinore por edhe fetar”.

Frederik Stamati në tezën e tij foli “Për flamujt e Muzeut Kombëtar”.

Ndër objektet me vlerë historike hyjnë edhe flamujt theksoi ai. Përmendi disa flamuj që kanë shënjuar në harkun e historisë si atë më të vjetrin të Luftës së Vlorës, flamurin e Ushtrisë shqiptare, flamurin e shoqërisë së Stambollit etj duke mos lënë pa përmendur flamurin e ngritur në Vlorë.

Ermir Nika, pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës, mbajti kumtesën: “Konceptet republikane të Andon Zako Çajupit”.

Ndër të tjera ai theksoi: “Në grupet e pavarësisë do të kemi një koordinim të fuqive të ndryshme për të njohur dhe përshëndetur pavarësinë e Shqipërisë.

Historia plotësohet nga çarqet akademike, individë të ndryshëm apo koleksionistë. Çajupi në tërësinë e tij ushqehej nga koncepte republikane.

Po të shohim debatin e tij të madh me Mit’hat Frashërin ka qenë një përplasje pikëpamjesh, konceptesh edhe rrymash. Çajupi e vazhdoi luftën e tij edhe përtej shpalljes së pavarësisë përpjekjet e tij kanë qënë gjithmonë të një angazhimi maksimal”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore