Kosova

Mustafi: Vuçiçi të marrë masa kundër gjuhës kriminalizuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës


Albin Kurti dhe Ragmi Mustafi

Ragmi Mustafi, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të dielen tha se kryeministri Albin Kurti promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe” gjatë vizitës së tij në dy komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Tetovë dhe Çair.

Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se presidenti serb do të ishte mirë të ndërmerrte masa të menjëhershme për të ndërprerë diskriminimin dhe gjuhën kriminalizuese ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Vuçiç do të ishte mirë të ndërmarrë masa të menjëhershme për të ndërprerë diskriminimin, pasivizimin dhe gjuhën kriminalizuese ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe të zbatojë obligimet ndërkombëtare të marra nga tri marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të Luginës”, ka shkruar ai.

Presidenti i Serbisë, gjatë një adresimi para popullit serb, ka thënë të dielen se kreu i ekzekutivit kosovar, gjatë vizitës së tij në Tetovë e Çair, ka promovuar idenë e “Shqipërisë së Madhe”, ndërsa vizitën në përgjithësi e cilësoi si “skandal të skandaleve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore