Lajme

Mustafa: Vetëmenaxhimi është një lloj autonomie për komunitetin serb


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një interviste në RTV Dukagjini, tha se me “vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë” që përmendet në pikën shtatë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë që u arritë më 27 shkurt në Bruksel, serbëve iu jepet një lloj autonomie.

“Vetëmenaxhimi është më shumë se Asociacion, është një komponentë shtesë. Nuk thuhet vetëmenaxhim i komunave serbe, por thuhet vetëmenaxhim i komunitetit serb dhe kjo duhet të sqarohet se çfarë është. Kjo si është në marrëveshje flet për një lloj autonomie dhe të drejta të veçanta të komunitetit serb karshi komuniteteve tjera”, tha Mustafa.

Ndërsa sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Mustafës “është prapë një konfuzitet”, meqë sipas tij, as Kurti as Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranojnë që po e themelojnë Asociacionin, “ata këtë e mbulojnë me vetëmenaxhim”.

“Ndërsa nëse është vetëmenaxhim e ndërron edhe karakterin e Asociacionit, pasi kërkesë ka qenë ky Asociacion të mos ketë kompetenca ekzekutive. Menaxhimi nënkupton ekzekutim, nuk mund askush të jetë menaxher dhe mos të kenë drejt të ekzekutimit”, shtoi ai.

“Një defekt shumë i madh i marrëveshjes bazë mes Kosovës dhe Serbisë është pranimi i marrëveshjes që nuk paragjykojnë asnjëra palë mendimin e palës tjetër për statusin përfundimtar, gjë që mendoj që pala kosovare nuk është dashur ta pranoj një marrëveshje të tillë, sepse formulime të tilla nuk janë pranuar kurrë në relacion me Serbinë”.

Në këtë intervistë Mustafa ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk ka treguar aftësi që ta drejtoj procesin e dialogut”.

“Me veprimet e bëra në vitin 2022 në veri të vendit e ka sjellë procesin në atë gjendje që më për dialogun të mos flitet si për një zgjidhje për Kosovën, por të flitet vetëm si një çështje e trajtimit të komunitetit serb në Kosovë dhe të stabilitetit dhe të paqes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore