Lajme

Mustafa: Serbia s’i njeh diplomat nga Kosova, s’lejon tekste në gjuhën shqipe


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se ka paraqitur dëshmitë e tij para Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit Evropës për të denoncuar racizmin, e diskriminimit në bazë të origjinës kombëtare dhe mungesës së përdorimit të gjuhës shqipe, jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga vetë komuna e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

“Shqiptarët janë më të diskriminuar sot, seç ishin një dekadë më parë. Janë më të pabarabartë, më të shtypur, më të margjinalizuar e më të diferencuar se një dekadë më parë vetëm e vetëm se flasin gjuhë tjetër nga shumica e janë shqiptarë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Raportova nga “Spastrimi etnik” me pasivizimin e adresave, për mosnjohjen e diplomave nga Kosova, moslejimin e teksteve shqipe për shkollat e mesme, mos integrimi I shqiptarëve në institucionet publike e deri tek mos lejimi i përdorimit të simboleve kombëtare”.

Ndryshe, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 në Serbi ka vënë në pah diskriminimin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi dhe po ashtu ka përmendur pasivizimin e adresave.

“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale. Udhëheqësit shqiptarë etnikë në Serbi pretenduan se qeveria i nënshtronte në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë ndaj “pasivizimit” për të zvogëluar numrin zyrtar të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thuhet në raport.

Tutje, duke iu referuar raportit të vitit 2021 nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thuhet se zbatimi “joproporcional i këtij ligji nga qeveria që synonte shqiptarët – përbënte ‘spastrimin etnik me mjete administrative’”.

“Diskriminim dhe pasivizim i adresave për shqiptarët etnikë dhe kërcënime ndaj gazetarëve” – Çfarë thuhet në raportin e DASh-it për Serbinë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore