Kosova

Mustafa i PDK-së, Qeverisë: S’ka rritje ekonomike siç po propagandoni, ka rritje të taksave


Arben Mustafa dhe Memli Krasniqi

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se norma e rritje ekonomike prej 5.62 për qind në tremujorin e parë 2024 (TM1 2024), del se ka rezultuar kryesisht nga rritja e taksave të mbledhura nga qeveria dhe jo nga ndonjë përshpejtim i aktivitetit ekonomik në vend.

Këto komente, Mustafa i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pak ditë pasi që Ministri i Financave, Hekuran Murati, u mburr me rritjen ekonomike dhe ia faturoi këtë “sukses” qeverisë ku ai bënë pjesë.

“Nëse i shikojmë sektorët e ekonomisë një-për-një, nuk mund ta gjejmë as edhe një sektor të rëndësishëm që e ka përshpejtuar ritmin e rritjes në krahasim me TM1 2023, por përkundrazi vërehet ngadalësim i rritjes pothuajse në të gjithë sektorët”, shkroi Mustafa.

Bruto Vlera e Shtuar, e cilat paraqet vlerën e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në Kosovë, potencoi ai, “ka shënuar rritje reale prej vetëm 1.27 për qind, në krahasim me rritjen prej 4.74 për qind në TM1 2023”.

“Në anën tjetër, rritja është e koncentruar në Taksat Neto në Produkte, të cilat kanë shënuar rritje reale prej 23.31 për qind dhe kanë ndikuar në fryrjen e normës së rritjes së BPV-së”, shtoi.

Pra, sipas Mustafës, “nuk ka lulëzim të ekonomisë, siç po propagandojnë ministrat e kësaj qeverie, por ka rritje të taksave të mbledhura nga qeveria, të cilat statistikisht përfshihen në përllogaritjen e BPV-së”.

Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale, Mustafa i PDK-së e akuzon për “manipulim”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore